Eklipsi që na ndriçon

12/08/2026 12:27

Nga Artan Fuga

Sot ka një eklips të Diellit.

I madhi do të eklipsohet!

Kur kjo dukuri madhështore astronomike ndodh, njeriut të sotëm nuk i bën më asnjë përshtypje. Aq më pak e shqetëson ose e fut në një botë magjike. Nuk ka asgjë magjike në këtë gjë madhështore. Hëna vendoset midis Tokës dhe Diellit. Eh, ja kështu ndodh. Edhe një gjë e vogël mund ta errësojë një të madhe, Hëna “mbulon” Diellin.

Por mijëra, ndoshta edhe më pak vite më parë, kjo dukuri ka qenë nga ato që kanë bërë të lindin mitologji, fantazma, këndvështrime mbi botën, paragjykime, këngë, valle, shpesh të bukura, por pa themel racional, lutje, besime, shpresa, frikëra, të cilat jo vetëm kanë qenë në rrënjë të kulturës njerëzore, sado mbështetur në shpjegime të gabuara, por edhe të përdoren nga njerëz, klika, klane, me pushtet për t’a trembur njeriun me gënjeshtra. Ka edhe më akoma sepse megjithëse eklipsi u shpjegua shkencërisht, kultura magjike, bestytitë, iluzione me burimin te shpjegimet me forca jashtënatyrore për të ende vazhdojnë si dy rrugë pararele.

Korrigjimi i gabimit në dije, nuk anullon një kostelacion bestytnish që tashmë janë futur në kulturë dhe këndohen në këngë, zhyten në folklor, dhe kërcehen si valle!

Shkenca dhe bestytnitë në kulturë dhe zakone pasi kanë një pikë takimi në të shkuarën pastaj me kohën mund të bëjnë edhe rrugë paralele.

Sa herë flitet për eklipsin më kujtohen traktatet e Epikurit, si edhe letrat madhështore që ai ka lënë të drejtuara nxënësve dhe përkrahësve të tij. Ky dijetar dhe filozof i antikitetit grek lindur aty nga vitit 341 përpara Krishtit, pra nja rreth 2500 vjet më parë, sikurse edhe pararendësi i tij i madh Demokriti, shkarazi merren edhe me eklipsin e Diellit. Si mos merreshin kur në ato kohë bestytnitë e shihnin këtë dukuri natyrore si provën që bota materiale komandohet nga forca magjike, se yjet kanë shpirt, se diçka e keqe mbulon diellin si për t’i dhënë shënja njeriut, për t’i dërguar mesazhe misterioze që vetëm orakujt mund t’i shpjegonin!!!

Në traktatet dhe letrat e tij Epikuri thotë se nuk ka asgjë të tillë. Diçka e pengon ndriçimin diellor që të vijë te ne përkohësisht, sikurse midis një zjarri dhe nesh diçka hyn në mes. Ai futi idenë e madhe, që jo modeomos është krejt e saktë, se dukuritë astronomke që lidhen me lëvizjen e planeteve duhen shpjeguar thjesht, me mënyrën si shpjegojmë dukuritë tokësore. Dhe në mënyrat që ai përmendte ishte edhe se ka mundësi që midis nesh dhe Diellit të futet përkohësisht Hëna!

Por, kjo ishte pak. Epikuri nisur nga eklipsi diellor përpunoi një sërë idesh, afirmoi një sërë zbulimesh, që pastaj Mesjeta, sado e ndriçuar, i harroi dhe u fut në rrugën e misticizmit të shpjegimit të Universit sipas këndvështrimeve aristoteliane.

Duket pra përfundonte pa hezitim Epikuri se Hëna është më afër Tokës se Dielli. Pra, nuk duhet të gabohemi e të mendojmë që këto trupa qiellorë kanë të njëjtën madhësi sado të na duket ashtu. Hëna është thuajse sferike, sikurse edhe profili diellor, sepse kur Dielli “errësohet” shihet qartë edhe ai edhe Hëna e projektuar mbi të. Trupat qiellorë si ata lëvizin, madje në mënyrë ciklike, nuk janë të “ngulur” në hapësirë. Dukuritë kozmike janë ciklike, pra kanë një rregull në dinamikën e tyre, etj., s’ka lutje dhe bestytni njerëzore që t’iu ndryshojë rrjedhën e tyre.

Prandaj them: Është një eklips që na ndriçoi!

Por, Epikuri nuk mjaftoi me kaq. Nisur këndej dhe nga dukuri të tjera ai përpunoi një teori njohjeje solide, që edhe sot do të na vlente ta mësonim. Po, po, se e kemi harruar!

Ai shprehu logjikisht argumentin e tij se për të shpjeguar botën duhet të nisemi nga të dhënat e shqisave. Pra, duhet të nisemi nga faktet dhe jo nga besimet, jo nga deliret, jo nga propaganda – do të thoshim sot, jo nga hamendjet e mbështetura në bekime të paqëna, jo në paragjykime. Nga faktet.

Edhe një fakt i vetëm madhor mund të na rrëxojë sa e hap e mbyll sytë një besim iluzor. Hëna nuk ka dritë të vetën, e merr nga Dielli, na vërteton eklipsi – thoshte Epikuri nëpërmjet arsyetimeve të tij. Nuk është njeriu në qendër të Universit, as Toka.

Epikuri nuk kishte instrumente të vrojtonte qiellin në atë kohë. Ai nisej nga fakte të vrojtuara me sy dhe bënte hipoteza. Cilado dukuri mund të shpjegohet me disa mënyra – shkruante ai – sikurse bubullimat, shkrepëtimat, eklipset, tufanet, shiu, retë, etj. Mundet që këndëvështrimet të jenë të ndryshme, hipoteza janë, por ka rëndësi që të heqim dorë nga një shpjegim i vetëm për të gjitha dukuritë e ndryshme – këmbëngulte Epikuri.

Shpjegimi i gjithçkaje vetëm me një teori është kulmi i padijes. Sikur pararendte prej mijëra vitesh Hannah Arendt e cila shpjegon se thelbi i mendor i çdo diktature totalitare është logjika që me një teori të shpjegohet gjithçka.

Epikuri si Demokriti u ngrit kundër besimit njerëzor se njeriu lundron në dije të sigurta dhe univoke. Jo, njeriu ecën me hipoteza, të ndryshueshme, me këndvështrime alternative, me dije të mundshme si të vërteta, është i gabueshëm, duhet t’i besojë vetëm fakteve, etj.

Duken si të natyrshme këto dije ndriçuese që shkëlqejnë sidomos sa herë kemi errësime nga eklipse, por shihni rrethe rrotull se njerëzit edhe sot në një masë të madhe i harrojnë, nuk i dinë, nuk arsyetojnë ashtu sikurse të diturit e Antikitetit formuluan mënyrat e shëndetshme të arsyetuarit.

Plot delire, shpjegime magjike, paragjykime, hamendje pa fakte, delire…

Dëgjoja një grua të mënçur, kryetare e një akademie shkencash të një vendi të madh evropian, që fliste për këtë eklipsin. Ai na ka mësuar shumë gjëra dhe në kohët e reja – thoshte ajo. Dhe sa të drejtë ka! Dijet e antikitetit më pas i mbuloi një botë iluzore e ngritur mbi bestytnitë. Mund ta kesh të vërtetën si komb për një kohë, por pastaj e humb atë, e humb rrugën e dijes. Dija është një thesar që mund të ta vjedhin, grabisin, rrëmbejnë, nuk kalohet vetëm nga padija në dije, por edhe nga dija në padije, mjafton që njeriu të harrojë, të përpunohet.

Eklipsi i Diellit thoshte gruaja e mënçur na mësoi sepse e pamë me sy që drita e yjeve të tjerë kur kalon “afër” Diellit kurbëzohet, çka na verifikoi Anjshtajnin mbi unitetin kohë – hapësirë dhe hapësirat e përkulura si bazë e teorive mbi relativitetin. U zbulua Heliumi si element që iu shtua listës së gjatë të tyre. U kuptua se drita e yjeve që vjen te ne ka udhëtuar shumë gjatë në hapësira dhe vjen jo në një çast te ne. Njëçastëshmëria nuk ekziston në Univers kur flitet për këto rregjistra shpejtësie. Pra, sa më të fuqishëm t’i kemi instrumentat e vëzhgimit të qiellit aq më shumë “bëjmë” nê thellësi një “udhëtim” në të shkuarën, kuptojmë lindjen e Universit tonë, shohim galaktika që në origjinat e tyre zgjerohen, etj, etj.

Koha e perceptuar nga njeriu shkon edhe “mbrapsht”!

Ja pse ky eklips është “i bekuar” ndonëse askush nuk e ka bekuar. Aq shumë i ka mësuar njeriut në mijëra vjet, aq shumë e ka bërë të besojë në dije të pavërteta dhe pastaj ja ka rrëzuar ato, sa meriton të vlerësohet në historinë e gjërave që kanë përcaktuar historinë e shkencës dhe të dijes njerëzore, jo vetëm kozmogoninë.

Unë do të kisha propozuar që ndonjë shkolle t’i hiqej emri budalla që i kanë vënë dhe të quhej shkolla “Eklipsi i Diellit”. A do ketë ndonjëkryetare bashkie ta bëjë? Sepse është e kotë dhe s’të dëgjon kush të thuash more derëzinj e derëzeza si nuk i vutë emrin e ndonjë të madhi në dije ndonjë shkolle. Mbyllur në etno-nacionalizëm të ngushtë jemi. Si nuk i vumë emrin “Demokrit”, “Epikur”, apo “kopshti i Epikurit”, apo po deshët “Ciceron”, a po deshët “Plutark”, a “Dekart”, a “Albert Anjshtajn” ndonjë shkolle???

E për ta mbyllur, kur shoh tekstet e filozofisë dhe programet ministrore të shkollave për të parë si paraqitet atje filozofia e Demokritit, e Epikurit, po deshët e Platoni, etj., zë kokën me duar.

Pyes këdo të ri e të re për mjeshtrit e dijes që na kanë ndriçuar mendjen si njerëzim dhe nuk dinë asgjë, absolutisht asgjë!

Nuk ka kanë asnjë faj ata, ata janë viktima!

Dhe pyes : Kush i mban në padije? Pse?

 

 

Top Channel