Dëshmitë e luftës italo-greke, ekspozohen në Maliq fotografitë dhe ditari i arkeologut arvanitas, Kristo Mesogjitis

07/08/2026 20:33

Përmes një ekspozite unike fotografike e dokumentare, në Maliq janë prezantuar dhjetëra dëshmi vizuale dhe shënime ditari nga periudha e Luftës Italo-Greke (1940–1941), të realizuara nga arkeologu dhe ushtari arvanitas, Kristo Petro Mesogjitis.

I caktuar si përkthyes i trupave greke në zonën e Maliqit e Gorës, ai bleu një aparat fotografik në Korçë, me të cilin fiksoi jetën e përditshme, njerëzit, fshatrat dhe relievin e kësaj zone. Rreth 70 fotografi të ekspozuara, së bashku me faksimile nga ditari i autorit, pasqyrojnë jo vetëm elemente ushtarake, por edhe studime mbi zakonet e shqiptarëve. Ekspozita u soll nga ish-kryebashkiaku i Saronikos në Greqi, Petro Filipu, i cili riktheu në vëmendje rëndësinë e këtij arkivi.

“Më quajnë Petro Filipu. Kam qenë ish-kryebashkiak i një nga bashkitë më të mëdha të Greqisë, Bashkia Saronikos dhe nënkryetar i qarkut të Atikisë. Në periudhën e sulmit dhe pushtimit të Greqisë nga gjermanët, në fshatin tim jetonte arkeologu Kristo Petro Mesogjitis, i cili u nda nga jeta në vitin 1945.

Ky njeri ishte ushtar dhe luftoi në frontin greko-italian, me fashistët italianë, në vitin 1940-1941. Meqenëse ishte arvanitas dhe dinte shqip, ai ishte përkthyes dhe përkthente të gjitha kontaktet e trupave me popullatën civile ku ishte fronti grek. Ndërkohë që ishte në funksion në komandën e Maliqit, gjatë një vajtjeje në Korçë, i tërhoqi vëmendjen një aparat fotografik, të cilin, nga kursimet që kishte mbledhur, e bleu dhe me të janë bërë të gjitha fotografitë në zonën e Maliqit dhe në zonën e Gorës në Pogradec.

Me këtë aparat fotografik, përveç fotografive me karakter ushtarak, ai ka fiksuar pamje nga të gjitha zonat, nga fshatrat e Maliqit, Pogradecit dhe, kryesisht, në Maliq, ku ishte edhe komanda e trupave greke për zonën e Maliqit dhe zonën e Gorës. Përveç fotografive, meqenëse autori i këtyre fotografive dhe i këtij ditari, përveç arkeologjisë, kishte studiuar edhe kulturën popullore dhe ishte i diplomuar, ai ka bërë edhe studime për kulturën popullore dhe një pjesë të tyre i ka përshkruar edhe në ditarin e tij për zakonet e shqiptarëve, për arredimin e shtëpive brenda në atë kohë e të tjera, që ishin të njëjtat zakone me traditat e arvanitasve.

Dhe ai ka sjellë këtu edhe faksimile, domethënë nga këngët e arvanitasve në Greqi, nga fotografitë e tyre, të cilat një pjesë e vogël paraqitet edhe në këtë ekspozitë. Duke përfunduar, dua të përmend disa fjalë që autori i këtij libri, Kristo Petro Mesogjiti, është shprehur për shqiptarët, për origjinën e tij që nuk mund ta mohojë. Në periudhën e Luftës Italo-Greke 1940, Kristo Petro thotë: “Populli shqiptar është një popull shumë i vuajtur, të cilin e kanë shfrytëzuar të huajt. Edhe sepse është një popull shumë i zgjuar, shumë punëtor dhe, nëse do t’i jepet shansi, me atë që ka, do të përparojë jashtëzakonisht”, tha Petro Filipu.

Për drejtoren e Kulturës, Dhora Dajko, kjo ekspozitë shërben si një dëshmi e fuqishme e kujtesës historike, respektit të ndërsjellë dhe njohjes së trashëgimisë së përbashkët kulturore.

Në shënimet e tij të vitit 1940, arkeologu Kristo Petro Mesogjitis la edhe një vlerësim të veçantë për popullin tonë, duke shkruar se: “Populli shqiptar është një popull shumë i vuajtur, të cilin e kanë shfrytëzuar të huajt. Edhe sepse është një popull shumë i zgjuar, shumë punëtor dhe, nëse do t’i jepet shansi, me atë që ka, do të përparojë jashtëzakonisht.”

Top Channel