Fati i kërkesave, nga negocimi te numrat dhe anasjelltas!
Nga Aladin Stafa
Kishim gabuar kur mendonim se kultura e frekuentimit të kinemasë kish humbur ndër vite ndërsa “rehatoheshim“ para Netflix. Dy javët e fundit treguan të kundërtën. Kinematë e gjithë botës u “pushtuan“ nga turma të frikshme ndjekësish për dy filmat e fundit amerikanë, “Odiseja“ dhe “Spider-Man“.
Algoritmi dhe rrjetet sociale gjithashtu u fokusuan ndjeshëm në këto dy vepra kinematografike. Totalisht të ndryshëm për epokën që përfaqsojnë por me mesazhin e njëjtë; kthimi në shtëpi, kthimi te vetja për një fillim të ri.
Me këto prodhime kinemaje, kontinenti amerikan tregoi njëherazi për një kohë shumë të shkurtër, se jo vetëm kërkon ta dominojë globin në politikë e ushtri, por edhe në sporte e art. Arti- si një “soft power”, pa dëmtime objektive, vec tërheqjes së masave nëpërmjet “amerikanizimit”. Një metodë kjo, që fillesat i ka në Hollywood.
Për më shumë se 5 orë prodhimtari kinematografike, (përfshirë këtu të dy filmat) ngulja para ekranit të madh demonstroi edhe njëherë se influenca një pushteti tjetër, atij më të butë e që kish kohë pa u ndjerë, vulosi njëherë e mirë, në subkoshiencën e popujve forcën dominuese të Amerikës.
Për t‘u kthyer te Odiseja, vepra e regjisorit të mirënjohur Christopher Nolan, një projekt sa i dashur aq edhe i kritikuar, ai tregoi se tundoi shumë breza. Njëri duke i qëndruar besnik versionit të vjetër për shkak të nostalgjisë, ndërsa të rinjtë i besojnë këtij versioni të ri sepse shohin aty të pasqyruar të ardhmen.
Një nga aspektet më interesante nuk është vetë filmi, por fakti se si një poeme e shkruar rreth tetë shekuj Para Krishtit, arrin të mbushë sallat e të jetë kaq aktuale edhe në vitin 2026. Duket se nuk u shit thjesht produkti, por e tëra si një kujtesë kolektive. Një histori që të gjithë besojnë se e njohin, madje edhe pa e lexuar Homerin.
Një mit, që gjithkush sadopak e paralelizon me të, jetën e tij plot sfida, suksese dhe humbje. Ky ishte një marketing i një niveli të lartë, ku shitja e një identiteti u bë arsyeja e lindjes së një fenomeni kulturor përtej kinemasë.
Por Nolan nuk riktheu vetëm Odisenë, ai ngriti njëherazi pyetjen e jetës, cfarë ndodh me një njeri apo një komb, kur lufta mbaron ndërsa udhëtimi ende jo?!
Shqipëria dhe Greqia e tanishme, janë ende brenda Odisesë. Tre mijë vjet më parë nuk kish kufij, por porte, tregtarë, dete, mite e zota. Sot humanët rreken të debatojnë se kujt i përket historia, ndërsa vetë historia riciklon vetveten.
Odiseja nuk ishte pronë e askujt, por produkt i një qytetërimi mesdhetar. E pikërisht këtu qëndron ende paradoksi ynë në Ballkan: betejat e së kaluarës duke mënjanuar ndërtimin e së ardhmes.
Shqipëria e sotme po e jeton Odisenë e saj. Shqipëria ashtu sikurse Odiseja, ka korrur gjate viteve luftra gjithëaq simbolike. Duke nisur nga hyrja në NATO, negociatat për t’u bërë pjesë e BE-së, luhatjet në turizëm nga viti në vit, ekonomia me statistika por pyetja që ngrihet është: a po afrohemi me Itakën apo vetëm po endemi brigjeve të saj tej e andej ku të na fryjnë erërat?!
Aty ku dukej se gjithcka mori fund, hileja e Odisesë që coi në fitoren e luftës, u bë shkaktarja e një vetëkënaqësie të prapë, duke kërkuar kësisoj të përballej edhe me “Zotat“ gjatë kthimit për në shtëpi. Mjaftueshëm për të na treguar se cdo sukses i padrejtë, ka një cmim të lartë dhe nuk mund të shijohet gjatë.
Metaforat e Odisesë duke i paralelizuar me situatën e Shqipërisë janë më të qarta se kurrë:
Ciklopi apo Polifemi, biri i Poseidonit, zotit të detit i kushtoi rëndë mbretit të Itakës. Ai i cili vetëm me një sy nuk e shihte realitetin por thjesht versionin e tij. Politika shqiptare shpesh sillet si Polifemi, e shkëputur nga masa ku cdo palë ka monopolin e të vërtetës së saj. Dhe ndonjëherë forca e madhe ja verbon largpamësinë.
Sirenat, një sfidë tunduese për Odisenë dhe ekuipazhin e tij. Ato nuk janë detyruese, por joshëse. Sot fare mirë “sirenat” mund të jenë algoritmet, propaganda, marketingu si edhe videot 30-sekondëshe në Instagram apo TikTok. Ato nuk të imponohen, por të bëjnë t‘ua dorëzosh vetë lirinë tënde.
Mandej Circe, e cila i transformoi në kafshë shokët e tij, si për të na treguar se pangopësia, humbja e logjikës dhe e kontrollit e deformon shpirtin njerëzor. Në jetë njeriu duhet të kontrollojë pushtetin dhe forcën e tij. Ekstremet në varfëri apo pasuri kane pasoja; njëra në humbjen e identitetit e tjetra në lakmi e babëzi.
Ishte dhe Hadi, aty ku Odiseja pa se cfarë e priste pas vdekjes. Bota e përtejme, plot miq e armiq, fytyrat e të cilave u shfaqën para tij në mënyrën më të ashpër. Njeriu jeton në Tokë me qetësinë se e përtejmja do të jetë më e lehtë se mëkatet e bëra në anën tjetër të saj.
Kalipso, i premtoi Odisesë pavdeksinë por ai zgjodhi shtëpinë. Njësoj sikurse shqiptarëve i ofrohet sot Europa, paga, siguria dhe qetësia. Por nëse të gjithë do të zgjidhnim Kalipson, kush do të mbetej për të ndërtuar Itakën?!
Penelopa…jo thjesht një grua që pret, por një vend, një popull që ditën thur shpresën e natën kërkon t‘i largohet me të katra realitetit.
Shqipëria jeton ende në tranzicion prej më shumë se tri dekadash. Sikur lufta të ketë mbaruar në fillim të viteve ‘90 ndërs udhëtimi vazhdon. Institucionet ndërtohen, besimi lëkundet, emigracioni vazhdon, demokracia ekziston por qytetari dyshon.
Ndoshta pse “Odiseja“ na emocionon nuk është sepse ne duam mitet, por një tjetër imazh. Ai se në cdo sfidë që hasim, shpresojmë të shohim atë copë tokë. Dhe pyetja nuk është nëse “Itaka” ekziston, por nëse kur të mund të mbërrijmë, a do të jetë po ajo “Itakë“ që njihnim?!
Top Channel