Franco Baresi, historia e një legjende: Nga debutimi si 17-vjeçar te kapiteni që u bë simbol i Milanit, momentet që e bënë “të pavdekshëm”

31/07/2026 08:39

Më 23 prill 1978, në një pasdite në Verona, një djalosh ende pa mbushur 18 vjeç zbriti për herë të parë në fushën e Serie A. Ishte Franco Baresi, një emër që në atë moment askush nuk e dinte se do të shndërrohej në një nga simbolet më të mëdha të historisë së Milanit dhe futbollit italian.

Trajneri Nils Liedholm, i rikthyer në stolin kuqezi pas 11 vitesh, kishte parë diçka të veçantë tek ai djalosh në stërvitje dhe vendosi ta aktivizonte si libero. Milani fitoi 2-1 ndaj Veronës dhe Baresi impresionoi që në debutim. Pas ndeshjes mori komplimente nga të gjithë, nga Gianni Rivera e deri te shokët e ekipit.

Por kur kaloi pranë Nereo Rocco-s, ish-trajneri legjendar i Milanit, ai i tha me humor: “Ore, edhe ti ke luajtur?”. Ishte mënyra tipike e “Paron”-it për të mos lejuar që një talent i ri të humbiste përulësinë. Dhe Baresi nuk e humbi kurrë atë.

Nga kampioni i ri te vështirësitë e mëdha

Baresi u bë shpejt titullar, duke fituar vendin në formacion dhe duke kontribuar në fitimin e titullit kampion në vitin 1979, të quajtur “Scudetto della Stella”. Ai u grumbullua edhe nga kombëtarja italiane për Europianin 1980, por pa debutuar.

Më pas erdhi një periudhë e vështirë. Milani zbriti në Serie B për shkak të skandalit të basteve, ndërsa Baresi u përball edhe me një problem serioz shëndetësor.

Në fillim të sezonit 1981-1982, ai u ndal për disa muaj nga një infeksion në gjak. Vetë Baresi më vonë tregoi se kalimi nga fusha e futbollit në një gjendje ku mezi ecte ishte një moment shumë i vështirë.

Pavarësisht problemeve, trajneri i Italisë Enzo Bearzot nuk e harroi. Ai e mori me skuadrën që fitoi Botërorin 1982 në Spanjë, edhe pse Baresi nuk luajti asnjë minutë.

Debutimi me Italinë dhe lindja e liderit

Më 4 dhjetor 1982, në Firence, Baresi veshi për herë të parë fanellën e kombëtares italiane në ndeshjen ndaj Rumanisë.

Ai mori rolin e liberos në mungesë të Gaetano Scireas dhe nisi një histori të gjatë me fanellën axurre. Më vonë, pas largimit të Scireas dhe ardhjes së trajnerit Azeglio Vicini, Baresi u shndërrua në liderin e padiskutueshëm të mbrojtjes italiane.

Epoka e Sacchit dhe lindja e Milanit të pavdekshëm

Në vitin 1987, Milani ndryshoi përgjithmonë. Mbërriti Silvio Berlusconi, erdhën yje si Ruud Gullit dhe Marco van Basten, por ndryshimi më i madh ishte në stol: Arrigo Sacchi.

Trajneri i ri solli një mënyrë revolucionare të mbrojturi, me presing të lartë, lëvizje kolektive dhe linjë jashtë loje të vazhdueshme. Baresi u përshtat me këtë filozofi dhe u bë figura qendrore e sistemit.

Me krahun lart duke sinjalizuar pozicionin jashtë loje, ai u kthye në një imazh ikonik të Milanit të madh.

Në vitin 1989, Milani fitoi Kupën e Kampionëve pas një sezoni historik. Një vit më pas, kuqezinjtë shkatërruan Real Madridin 5-0 në Bernabeu dhe më pas mposhtën Steaua Bukureshtin 4-0 në finalen e zhvilluar në Barcelonë.

Kur Baresi ngriti trofeun në Camp Nou, ai vulosi hakmarrjen ndaj gjithë vështirësive të së kaluarës.

Kapiteni që udhëhoqi edhe Capellon

Në vitin 1991, pas largimit të Sacchit, Fabio Capello mori drejtimin e Milanit. Fillimisht ai mendoi ndryshime taktike, por Baresi mori fjalën si lider i dhomës së zhveshjes.

Ai propozoi vazhdimin me sistemin 4-4-2, por me më pak agresivitet dhe më shumë ekuilibër. Rezultati ishte një epokë e re suksesi: katër tituj kampionë, tre prej tyre radhazi, trofe europianë dhe një tjetër Champions League.

Finalja e Athinës dhe zëri i kapitenit

Në finalen e Champions League kundër Barcelonës në vitin 1994, Baresi nuk mundi të luante për shkak të pezullimit. Por edhe jashtë fushës ai ishte lider.

Sipas Paolo Maldinit, para ndeshjes Baresi mblodhi disa lojtarë dhe u dha udhëzime taktike për mënyrën se si duhej ndalur Barcelona e Romarios dhe Stoichkovit.

Pas fjalimit të tij, Fabio Capello vetëm buzëqeshi dhe tha: “Djem, kapiteni i tha të gjitha. Tani shkoni dhe fitoni këtë Kupë.”

Milani fitoi 4-0 dhe Baresi tregoi edhe një herë se ishte kapiten edhe kur nuk ishte në fushë.

Pasadena 1994: madhështia dhe dhimbja

Finalja e Botërorit 1994 mes Italisë dhe Brazilit mbetet një nga momentet më dramatike të karrierës së tij.

Baresi u kthye vetëm 25 ditë pas një dëmtimi në menisk, por në fushën e Rose Bowl ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai drejtoi mbrojtjen italiane, ndali sulmues si Romario dhe Bebeto dhe luajti një ndeshje të jashtëzakonshme.

Pas 120 minutash pa gola, gjithçka u vendos nga penalltitë. Baresi mori përgjegjësinë i pari, por goditja e tij përfundoi jashtë. Më pas gabuan edhe Massaro e Roberto Baggio.

Brazili u shpall kampion bote, ndërsa Baresi u largua nga fusha me lot në sy, i dëshpëruar, por me respektin e gjithë botës së futbollit.

Një legjendë pa kohë

Franco Baresi nuk ishte thjesht një mbrojtës. Ai ishte simbol i një epoke, një kapiten që udhëhiqte me karakter dhe inteligjencë.

Ai luajti gjithë karrierën profesionale me një fanellë të vetme: atë të Milanit. Pas tërheqjes në vitin 1997, klubi kuqezi tërhoqi fanellën me numrin 6 në nder të tij.

Emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me historinë e Milanit, Italisë dhe futbollit botëror.

Top Channel