Katari, eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (LNG), po përshpejton përpjekjet për të diversifikuar ekonominë, ndërsa bllokada e Ngushticës së Hormuzit ka goditur rëndë eksportet e tij të gazit.
Në këtë kuadër, Doha ka nisur një projekt ambicioz për t’u shndërruar në një qendër ndërkombëtare të tregtisë së diamanteve.
Më 27 korrik, Autoriteti i Zonave të Lira të Katarit inauguroi Bursën e Diamanteve të Katarit, një treg i rregulluar për blerjen, shitjen, certifikimin dhe ruajtjen e diamanteve të papërpunuara dhe të përpunuara. Objekti ndodhet në Zonën e Lirë Ras Bufontas, pranë Aeroportit të Dohas dhe përfshin një sallë tregtimi, kasaforta me siguri të lartë dhe një sistem ankandesh që synon të lidhë prodhuesit nga Afrika dhe Azia me blerësit nga Evropa dhe vendet e Gjirit.
Qëllimi i Katarit është të krijojë, brenda pak vitesh, një qendër të rëndësishme të tregtisë së gurëve të çmuar, duke konkurruar me qendra të konsoliduara si Antwerpi dhe Dubai.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për ekonominë e vendit. Që prej 1 marsit, përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka sjellë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, rruga kryesore detare përmes së cilës Katari eksporton pothuajse të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm.
Përpara krizës, mbi 100 anije kalonin çdo ditë nëpër këtë korridor strategjik, ku kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe pothuajse i gjithë eksporti i gazit të lëngshëm të vendeve të Gjirit. Aktualisht, sipas agjencive të inteligjencës detare, më pak se dhjetë anije në ditë arrijnë të kalojnë.
Ministri i Energjisë i Katarit ka paralajmëruar se bllokada mund t’i kushtojë vendit rreth 20 miliardë dollarë në vit në të ardhura të humbura. Ndryshe nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari nuk ka tubacione alternative që do t’i lejonin të shmangte Ngushticën e Hormuzit, çka e bën ekonominë e tij veçanërisht të ndjeshme ndaj krizës.
Në këtë situatë, autoritetet po i kushtojnë rëndësi sektorit të diamanteve, pasi transporti i tyre mund të kryhet lehtësisht me rrugë ajrore dhe nuk varet nga korridoret detare. Megjithatë, analistët theksojnë se një treg i ri diamantësh nuk mund të zëvendësojë në afat të shkurtër miliardat e humbura nga eksportet e gazit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është konkurrenca me vendet fqinje të Gjirit. Dubai është prej vitesh një nga qendrat më të mëdha botërore të tregtisë së diamanteve, me një xhiro prej dhjetëra miliarda dollarësh. Duke hyrë në këtë treg, Katari sfidon drejtpërdrejt pozicionin e emiratit fqinj dhe synon të forcojë rolin e tij ekonomik në rajon.
Megjithatë, ekspertët e konsiderojnë Bursën e Diamanteve jo vetëm si një projekt ekonomik, por edhe si një mesazh politik. Doha synon t’u tregojë tregjeve ndërkombëtare se po krijon alternativa në rast se bllokada e Hormuzit zgjat për një periudhë të gjatë.
Autoritetet e Katarit nuk e kanë lidhur zyrtarisht hapjen e bursës me krizën në Hormuz, duke theksuar se projekti është pjesë e strategjisë afatgjatë “Qatar National Vision 2030”, e cila synon diversifikimin e ekonomisë. Megjithatë, koha e inaugurimit tregon se edhe një nga ekonomitë më të pasura të Gjirit po përpiqet të reduktojë varësinë nga një rrugë detare strategjike, e cila mbetet jashtë kontrollit të saj.
Top Channel