Kryebashkiakja e parë japoneze që mori leje lindjeje, Kawata përfshihet në TIME100 Next, mes figurave më me ndikim

02/10/2026 22:41

Shoko Kawata, kryebashkiakja e qytetit Yawata në prefekturën japoneze të Kiotos dhe kryetarja e parë bashkie në Japoni që mori leje lindjeje, është përfshirë në listën TIME100 Next, e revistës TIME, që njeh 100 figura me ndikim dhe potencial në rritje.

Kawata, 36 vjeçe, u bë nënë për herë të parë më 15 shtator. Vendimi i saj për të marrë leje lindjeje shkaktoi një debat kombëtar në Japoni mbi të drejtën e zyrtarëve të zgjedhur për të marrë pushim pas lindjes.

Vendimi i Kawata-s mori mbështetje nga një pjesë e publikut, ndërsa kritikë të tjerë e konsideruan largimin e saj të përkohshëm nga detyra si të papërgjegjshëm.

Mbështetësit argumentuan se shtatzënia dhe prindërimi duhet të jenë të pajtueshme me karrierën politike. Disa prej tyre e vlerësuan Kawata-n për vendosjen e familjes në qendër dhe për dhënien e një shembulli që mund ta bëjë politikën më të aksesueshme për gratë e tjera.

Kritikët, ndërkohë, thanë se zyrtarët e lartë duhet të qëndrojnë në detyrë ose të japin dorëheqjen nëse nuk mund të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Të tjerë kërkuan që pagat e zyrtarëve të ulen gjatë periudhës së lejes.

Para lindjes, në një intervistë për BBC-në, Kawata kundërshtoi kritikat dhe tha se dëshiron të vazhdojë karrierën politike duke krijuar njëkohësisht familje.

Ajo argumentoi se kritikimi i grave politikane për marrjen e lejes së lindjes do të mund të nënkuptonte përjashtimin e grave në moshë riprodhuese nga postet publike.

“Dua të përballem me shumë sfida me të cilat përballen prindërit dhe fëmijët sot nga e njëjta perspektivë, si dikush që i përjeton vetë ato”, tha ajo.

Ndryshe nga punonjësit e administratës lokale, të cilët kanë të drejtë për leje lindjeje, në Japoni nuk ekziston një kuadër i njëjtë ligjor për zyrtarët vendorë të zgjedhur.

Për këtë arsye, Kawata bashkëpunoi me zyrën e saj për të hartuar një plan të posaçëm. Për një periudhë prej 16 javësh, autoriteti i saj iu transferua zëvendëskryetarit të bashkisë, Shigeto Nose.

Gjatë kësaj periudhe, Kawata parashikoi gjithashtu mundësinë e punës nga distanca kur rrethanat ta lejonin.

Më 15 shtator, kryebashkiakja njoftoi lindjen e vajzës së saj përmes një postimi në rrjetin social X, ku falënderoi personat që e kishin mbështetur. Ajo tha se përvoja e re si nënë do të ndikojë edhe në mënyrën se si do të trajtojë çështjet sociale.

Top Channel