Kryebashkiakja e parë japoneze që mori leje lindjeje, Kawata përfshihet në TIME100 Next, mes figurave më me ndikim
Dy burra iranianë janë akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për përgatitjen e një sulmi të dyshuar terrorist që, sipas policisë, kishte në shënjestër komunitetin hebre në Mançester.
Rahman Salehi, 35 vjeç, dhe Salam Ahmadyan, 36 vjeç, akuzohen për përgatitje për të kryer një akt terrorizmi ose për të ndihmuar një person tjetër në kryerjen e një akti të tillë. Sipas policisë kundër terrorizmit, dy burrat dyshohet se planifikonin të përdornin një pajisje shpërthyese të improvizuar.
Të dy u arrestuan më 20 shtator, në prag të Yom Kippur, ditës më të shenjtë të kalendarit hebraik.
Sipas akuzave, Salehi dhe Ahmadyan dyshohet se përdorën aplikacione të koduara për të siguruar materiale dhe komponentë me të cilët do të ndërtonin një pajisje shpërthyese të improvizuar.
Policia pretendon gjithashtu se ata kishin marrë udhëzime në video për ndërtimin e pajisjes dhe kishin siguruar lëngje, përbërës dhe pajisje të tjera të nevojshme.
Hetuesit pretendojnë se dy burrat kryen kërkime në internet për objektiva të mundshëm dhe siguruan imazhe, plane dhe harta, si dhe kryen veprime zbulimi.
Dy të dyshuarit u arrestuan në Newton Street, në zonën Northern Quarter të Mançesterit, përpara se të dërgoheshin në paraburgim në një stacion policie në Londër.
Ata u ndaluan në bazë të nenit 41 të Aktit të Terrorizmit të vitit 2000, ndërsa policia kundër terrorizmit mori kohë shtesë për t’i marrë në pyetje.
Policia Metropolitane, e cila po udhëheq hetimin, tha se kontrolle janë kryer edhe në prona në Epworth Street në Liverpool dhe Lancaster Road në Salford.
Vicki Evans, koordinatore e lartë kombëtare e policisë kundër terrorizmit, tha se hetimi i përbashkët me shërbimet e sigurisë kishte çuar në ndërprerjen e asaj që autoritetet besojnë se ishte një komplot kundër komunitetit hebre në Mançester.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për kërcënime më të gjera që, sipas saj, lidhen me Iranin dhe që po projektohen ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Evans theksoi se rasti nuk është i lidhur me hetimin për incidentin në bazën ajrore RAF Fairford.
Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, tha se arrestimet janë një kujtesë e kërcënimeve që vijnë nga terroristët dhe aktorët e huaj shtetërorë.
Ajo tha se lajmi është veçanërisht shqetësues për komunitetet hebraike, pasi arrestimet ndodhën pranë Rosh Hashanah dhe Yom Kippur.
Top Channel