Kriza e banesave rrëzon qeverinë Sanchez në Parlament, Spanja drejt zgjedhjeve të parakohshme

02/10/2026 20:57

Spanja rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja këtë vjeshtë, pasi qeveria e kryeministrit Pedro Sanchez pësoi një humbje në Parlament, teksa deputetët rrëzuan dy dekretet emergjente për strehimin, që synonin të përballonin krizën e banesave në vend.

Dekreti i parë u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro, ndërsa i dyti me 184 vota kundër dhe 166 pro. Pas këtij votimi, është shtuar presioni ndaj kryeministrit Sanchez për të shpallur zgjedhje të parakohshme, me 29 nëntorin që po përmendet si data e mundshme.

Ndërkohë, mijëra protestues vijojnë të jenë të mbledhur në sheshin Puerta del Sol në Madrid. Komiteti i qiramarrësve, që drejton protestat, ka thirrur manifestime më 3 tetor në Madrid dhe në 22 qytete të tjera të Spanjës.

Në fjalën e tij në Parlament, Sanchez mbrojti dekretet duke thënë se ato nuk përmbanin “asnjë ekstremizëm” dhe u bëri thirrje deputetëve të mendonin për familjet që përballen me rritjen e qirave. Nga ana tjetër, Partia Popullore, forca kryesore e opozitës, argumentoi se kriza e strehimit nuk zgjidhet me dekrete, por me ndërtimin e banesave të reja.

Sipas qeverisë spanjolle, dekretet synonin të frenonin spekulimet në tregun e pasurive të paluajtshme, zgjerimin e qirave turistike dhe dëbimin e personave në nevojë nga banesat, ndërsa një nga masat më të debatuara ishte rinovimi automatik dhe pa afat i kontratave të qirasë.

Top Channel