Historia frymëzuese e nxënësve shqiptarë në Selanik, përkthejnë dhe titrojnë në greqisht filmin “Shoku ynë Tili”
Nga Alda Bardhyli
Libri autobiografik “Kalamaja” i Patti Smith tregon historinë e dy artistëve të rinj që mbërrijnë në Nju Jork me pak para, shumë pasiguri por me një ambicie të madhe krijuese. Është historia e gjatë e dashurisë me Robert Mapplethorpe.
Si poete ajo bën një rrëfim plot mendim, shkruan për mënyrën se si formohet një artist, për marrëdhënien mes jetës dhe veprës dhe për atë që ndodh kur arti nuk është një karrierë, por një mënyrë për të kuptuar botën. Libri ka ardhur në gjuhën shqipe nen përkthimin e lartë të Alen Bejkos dhe botuar nga Berk.
Në një kohë kur autobiografia është bërë një nga format më të konsumuara të letërsisë, “Kalamaja” mbetet një përjashtim. Libri nuk ndërtohet mbi rrëfimin plot ngjyra të jetës private dhe as mbi dëshirën për të shpjeguar çdo zgjedhje të autores. Patti Smith nuk kërkon të justifikojë veten dhe nuk përpiqet të krijojë një figurë heroike. Ajo shkruan me një vetëdije të qartë se kujtesa është gjithmonë selektive dhe se historia personale fiton kuptim vetëm kur lidhet me historinë kulturore të një kohe.
Këtu qëndron forca e librit. Ai nuk është thjesht historia e një individi, por historia e një ekosistemi artistik. Galeritë, libraritë, koncertet, poezia, fotografia, muzika, njerëzit që kalojnë nëpër faqe të gjitha krijojnë një hartë të jetës kulturore të Nju Jorkut në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillimin e viteve shtatëdhjetë. Qyteti është një personazh më vete, një hapësirë ku arti prodhohet përmes takimeve, debatit dhe ndikimeve të ndërsjella.Një nga aspektet më interesante të librit është refuzimi për ta ndarë artin në kategori të mbyllura. Patti Smith kalon natyrshëm nga poezia te muzika, nga fotografia te piktura, nga letërsia te performanca. Për të, këto nuk janë disiplina të ndara, por gjuhë të ndryshme të së njëjtës përpjekje krijuese. Ky është një këndvështrim që tingëllon veçanërisht aktual edhe sot, kur kufijtë mes arteve janë bërë gjithnjë e më të lëvizshëm dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor është pjesë e praktikës artistike.
Libri fiton edhe një dimension tjetër kur lexohet në kontekstin e kulturës së sotme digjitale. Shumë artistë të rinj e ndërtojnë praninë e tyre publike përmes rrjeteve sociale, ku procesi krijues shpesh mbetet në hije, ndërsa vëmendja përqendrohet te rezultati ose te imazhi. “Kalamaja” propozon një ritëm krejt tjetër. Ajo flet për vitet e gjata të formimit, për leximet, për diskutimet e pafundme, për ndikimet intelektuale dhe për kohën që duhet për të gjetur një zë autentik. Është një libër që e vendos procesin mbi produktin.
Përkthimi në shqip sjell në gjuhën tonë një tekst që flet për kulturën si dialog dhe jo si konsum. Në një treg libri ku shpesh dominojnë botimet me ritëm të shpejtë dhe interes të menjëhershëm, përkthimi i një vepre si “Kalamaja” tregon se ekziston ende hapësirë për libra që kërkojnë një lexim më të ngadaltë dhe më reflektues.
Përkthimi ka edhe një funksion tjetér ai krijon vazhdimësi mes kulturës shqiptare dhe asaj botërore. Një kulturë nuk pasurohet vetëm duke prodhuar autorët e saj, por edhe duke përkthyer autorët që kanë formësuar mendimin artistik ndërkombëtar. Në këtë kuptim, botimi i “Kalamaja” nuk është vetëm një ngjarje editoriale; është pjesë e një procesi më të gjerë të zgjerimit të horizontit kulturor të lexuesit shqiptar.
Një nga temat më pak të diskutuara të librit është miqësia si formë krijimi. Marrëdhënia mes Patti Smith dhe Robert Mapplethorpe nuk paraqitet si një histori sentimentale klasike, por si një bashkëjetesë intelektuale ku secili ndikon në zhvillimin e tjetrit. Libri argumenton, pa e thënë drejtpërdrejt, se arti është gjithmonë rezultat i një rrjeti marrëdhëniesh: librat që lexojmë, njerëzit që takojmë, debatet ku marrim pjesë dhe qytetet ku jetojmë bëhen pjesë e veprës sonë.
“Kalamaja” vazhdon të lexohet edhe pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve që përshkruan. Ajo nuk mbështetet te nostalgia për një epokë të humbur por ngre pyetje që mbeten aktuale:
Patti Smith nuk ofron përgjigje të drejtpërdrejta. Ajo ndërton një rrëfim që i beson inteligjencës së lexuesit. Pikërisht ky është një nga virtytet më të mëdha të librit i cili krijon hapësirë për interpretim.
Patti Smith na kujton se arti është edhe mendim. Në një kohë kur kultura shpesh reduktohet në përmbajtje të konsumueshme, figura të tilla rikthejnë në qendër vëmendjen te leximi, reflektimi, kërkimi dhe dialogu. Kjo është ndoshta arsyeja kryesore pse “Kalamaja” mbetet një libër i rëndësishëm. Ai nuk flet vetëm për një jetë artistike; ai na fton të rimendojmë vetë vendin që arti zë në shoqërinë bashkëkohore.
Brezi që përshkruan Patti Smith në Kalamaja dhe brezi i sotëm ndajnë më shumë ngjashmëri sesa mund të duket në pamje të parë. Në fund të viteve ’60 dhe gjatë viteve ’70, të rinjtë kërkonin një gjuhë të re për të shprehur veten në një botë që po ndryshonte me shpejtësi; sot, një kërkim i ngjashëm zhvillohet në një peizazh të dominuar nga teknologjia, rrjetet sociale dhe ekonomia e vëmendjes. Ndryshojnë mjetet, por jo dilemat si të ndërtosh një identitet krijues pa u tretur në konformizëm, si të mbetesh besnik ndaj vizionit tënd kur presioni për t’u përshtatur është i vazhdueshëm dhe si ta mbrosh kohën e nevojshme për të menduar e krijuar në një kulturë që shpërblen shpejtësinë.
Pikërisht këtu Kalamaja fiton një aktualitet të papritur. Libri nuk propozon nostalgji për një epokë të kaluar, por kujton se çdo brez artistësh përballet me të njëjtën detyrrë, të gjejë një zë që nuk është thjesht jehonë e kohës së vet, por një mënyrë për ta interpretuar dhe, ndoshta, për ta sfiduar atë.
Top Channel