Zjarre masive në jugperëndim të Francës, evakuohen mbi 20 mijë persona, rritja e temperaturave përkeqëson situatën

23/07/2026 17:02

Mbi 20 mijë persona janë evakuuar nga jugperëndimi i Francës për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin e Girondës, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet kritike për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.

Sipas autoriteteve franceze, rreth 12 mijë banorë dhe turistë janë larguar tashmë nga zonat e rrezikuara, ndërsa po zhvillohet evakuimi i 8,800 personave të tjerë. Flakët kanë shkatërruar deri tani afro 3,100 hektarë tokë pranë Gjirit të Arcachon.

AFP via Getty Images Lines of fire trucks on a road with hazy smoke in the air

Shumica e të evakuuarve janë turistë që pushonin në kampingjet e gadishullit Lège-Cap-Ferret, ndërsa evakuime parandaluese janë kryer edhe në fshatin Claouey. Prefektja e Girondës, Sophie Brocas, bëri të ditur se deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa disa rrugë dhe zona pyjore janë mbyllur për arsye sigurie.

Shefi i zjarrfikësve të Girondës, Marc Vermeulen, tha se ekipet kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, por paralajmëroi se rritja e temperaturave dhe ndryshimi i drejtimit të erës e bëjnë zjarrin të vështirë për t’u parashikuar.

Zjarret kanë shkaktuar edhe viktima. Dy zjarrfikës humbën jetën më herët gjatë javës duke luftuar një tjetër vatër pranë aeroportit të Bordeaux, ndërsa Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, u shprehu ngushëllimet familjeve të tyre dhe vlerësoi sakrificën e tyre.

Ndërkohë, zjarret kanë përfshirë edhe vende të tjera të Evropës Jugore. Në Itali, një zjarrfikës humbi jetën gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në Siçili, ku janë regjistruar mbi 350 vatra zjarri, ndërsa autoritetet dyshojnë se shumica e tyre janë shkaktuar nga veprimtaria njerëzore.

Jo Kent/BBC Dark smoke can be seen on the skyline from the beach

Edhe Spanja po përballet me temperatura ekstreme dhe zjarre të mëdha. Pranë Toledos janë djegur rreth 890 hektarë, ndërsa në rajonin e Guadalajarës flakët kanë përfshirë mbi 35 mijë hektarë, duke u konsideruar zjarri më i madh i vitit në vend.

Sipas një raporti të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, Evropa vazhdon të jetë kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me mbi 95% të territorit që regjistroi temperatura mbi mesataren gjatë vitit 2025. Temperaturat rekord dhe valët e gjata të të nxehtit po favorizojnë përhapjen e zjarreve në shumë vende evropiane.

Top Channel