Fiks Fare/ Autobusë si sauna në mes të verës! Pa kondicioner dhe në temperatura përvëluese, qytetarët udhëtojnë mes vapës dhe djersës
Prej gati tre javësh, banorët e fshatit Gjokaj dhe tre fshatrave të tjerë në Bashkinë Vorë kanë kaluar ditët më të nxehta të verës pa ujë të pijshëm.
Ata denoncuan në emisionin Fiks Fare se, ndonëse paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit, janë detyruar të blejnë ujë me autobote për të përballuar nevojat e përditshme.
Banorët tregojnë se problemi është i përsëritur dhe se prej vitesh furnizohen me orare të kufizuara. Sipas tyre, edhe kur uji vjen, cilësia e tij lë për të dëshiruar, ndërsa këtë herë rubinetat kanë mbetur të thatë për më shumë se dy javë.
“Prej mbi dy javësh jemi pa ujë. Edhe më parë uji vinte vetëm një herë në dy ditë. Ne i paguajmë faturat, por tani po blejmë ujë me autobot, që na kushton rreth 30 mijë lekë,” shprehen banorët.

Ata thonë se kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin pranë institucioneve, por nuk kanë marrë një afat të qartë për zgjidhjen e problemit. Sipas tyre, ndërkohë që familjet mbeten pa ujë, bizneset në zonë nuk përballen me të njëjtën situatë.
Pas denoncimit, Fiks Fare iu drejtua përgjegjësit të ujësjellësit në Bashkinë Vorë. Ai pranoi se ndërprerja e furnizimit ishte shkaktuar nga një defekt në një rrjet të amortizuar, i cili ka prekur katër fshatra.
Sipas tij, krahas riparimit të defektit po kryhet edhe optimizimi i rrjetit, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë në të gjithë zonën.

“Jemi në dijeni të situatës dhe po punojmë për ta zgjidhur. Me ndërhyrjen që po bëjmë, jo vetëm do të riparohet defekti, por do të përmirësohet edhe orari i furnizimit. Që nesër këto fshatra do të kenë ujë çdo ditë,” deklaroi përgjegjësi i ujësjellësit.
Menjëherë pas interesimit dhe insistimit të Fiks Fare pranë institucioneve përgjegjëse, furnizimi me ujë u rikthye në fshatin Gjokaj dhe zonat e prekura.

Banorët falënderuan emisionin për ndërhyrjen, duke thënë se pas javësh të tëra pa ujë, më në fund rubinetat u furnizuan sërish.
Top Channel