Fiks Fare/ Skandal në Xarrë, postieri ‘u zhduku’ pensionet e 13 muajve pensionistëve: U kam borxh 37 milionë lekë, do shes tokën t’ua shlyej
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një problematikë në Qendrën Shëndetësore të Vorës, e cila nuk ka reagentë për të bërë analiza gjaku.
36 mijë banorët e qytezës detyrohen që të udhëtojnë në Poliklinikën Qendrore te 9 -katëshet në Tiranë. Drejtoresha dhe shefja e Laboratorit justifikohen se kanë bërë kërkesë në fund të dhjetorit 2025 dhe ende s’ka përgjigje!

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua Agim Hysa, 71 vjeç, nga qyteti i Vorës, i cili thotë se në Qendrën Shëndetësore të qytetit, e vetmja në atë zonë, nuk bën dot analiza gjaku. Ai vuan nga tensioni, diabeti, ka yndyrnat e larta dhe duhet të bëjë analizat e gjakut herë pas herë. Por, që në fund të vitit të kaluar, në muajt nëntor e dhjetor 2025, nuk bën dot analizat pasi i thonë se nuk ka reagentë. Ai shton se qyteti i Vorës ka 36 mijë banorë dhe të gjithë duhet të udhëtojnë në mes të vapës të 9 -katëshet në Tiranë.

“Na thonë kemi bërë kërkesa, po asnjë gjë deri tani. Dy mundësi kemi, ose t’i bëjmë te privatët dhe dyshojmë se këta mjekët mund te kenë lidhje, ose të shkojmë në Tiranë. Unë jam 71 vjeç me një pension 19 mijë lekë në muaj, çfarë duhet të bëj më parë, të ha bukë apo të bëj analiza” përfundon Agimi.
Pas ankesës, qytetari shkon te mjekja e laboratorit, teksa ajo i thotë se ende s’ka kite e reagentë. Mjekja i thotë se kanë bëtë kërkesë që në fund të muajit dhjetor 2025, por s’ka informacion. Ajo i thotë se e ka bërë punën e saj, por janë procedurat. I moshuari pyet edhe Drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore Vorë, Shkëndije Kuçi, e cila është edhe mjekja e tij e familjes.

Ai i kërkon informacion për analizat, teksa ajo i thotë se ke bërë “Check Up”. Agimi i thotë se atë ditë që i kanë thënë të bëjë “Check Up” ka qenë i ngrënë, por doktoresha ka këmbëngulur që t’a bëjë se ia llogarisim. “Po i ngrënë ke qenë, po kemi bërë llogaritjet e atyre parametrave të larta. I kemi llogaritur” i thotë ajo. Më pas, i moshuari i kërkon informacion se përse nuk bëhen analizat e gjakut në laboratorin e ambulancës. Drejtoresha i thotë se ka bërë kërkesë, po janë akoma duke u bërë procedurat.

Fiksi shkon për të pyetur drejtoreshën Shkëndije Kuçi për këtë problematikë. Drejtoresha i thotë grupit të Fiks Fare se duhet të bëjnë kërkesë me shkrim. Pas këmbënguljes, ajo thotë se procedura është në vijim me operatorin fitues. Fiksi i kërkon nëse këtë procedurë tenderi e ka bërë Qendra Shëndetësore apo ndonjë institucion tjetër, teksa thotë se Qendra Shëndetësore po kanë zgjatur dhe shumë shpejt do lidhet kontrata.

Shkëndija nuk pranon të japë shpjegime të hollësishme, teksa Fiksi i kërkon me ngulm se janë plot 36 mijë banorë të Vorës që s’bëjnë dot analiza. Më pas përgjigjet se “ne kemi vetëm 20 mijë”. Fiksi i kërkon se në çfarë kohe do të bëhen analizat, teksa sërish nuk thotë datë.

Ajo thotë se disa pacientë i kanë mbuluar me “Check UP”, ndërkohë Fiksi e pyet nëse këta pacientë si i bëjnë analizat esëll apo të ushqyer. Ajo thotë se zakonisht bëhen esëll, por në disa raste ata i rekomandojnë edhe të ngrenë, pasi i njohin këta pacientë dhe ua bëjnë llogaritë nëse analizat dalin me disa parametra më të larta!

Top Channel