Video/ Incidente të ashpra midis civilëve dhe ushtarëve ukrainas në Lviv, i riu thyen xhamin e makinës me zemërim

09/07/2026 19:04

Autoritetet ukrainase kanë nisur një hetim pas incidenteve të ndodhura në qytetin e Lvivit, në perëndim të Ukrainës, ku një përplasje mes personelit ushtarak, policisë dhe qytetarëve shpërtheu gjatë rekrutimit të një të riu për shërbimin ushtarak.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm bëri të ditur se janë hapur dy hetime paraprake penale lidhur me ngjarjen, ku u përfshinë anëtarë të forcave të armatosura, efektivë policie dhe rreth 200 qytetarë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra persona që rrethojnë një automjet ushtarak, duke brohoritur “turp” dhe duke sharë personelin. Turma thyen xhamin e përparmë të automjetit dhe më pas e përmbys atë, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Sipas qendrës rajonale të rekrutimit, incidenti nisi pasi një i ri u ndalua për kontroll dhe rezultoi se kishte shkelur rregullat që lidhen me rekrutimin në ushtri. Autoritetet ushtarake thanë se një grup qytetarësh rrethuan automjetin e shërbimit, u sollën në mënyrë agresive, i shkaktuan dëme të konsiderueshme dhe në fund e përmbysën atë.


Edhe policia konfirmoi se ka nisur hetime për një sulm ndaj një efektivi, ndërsa bëri të ditur se autori i dyshuar është identifikuar.

Kryetari i Bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovy, e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar atë “të tmerrshme”. Sipas tij, pengimi i ushtrisë në kryerjen e detyrave, shkatërrimi i pronës publike dhe aktet e dhunës janë të papranueshme.

Rekrutimi për shërbimin ushtarak vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në Ukrainë, më shumë se katër vjet pas nisjes së pushtimit rus. Në disa raste, procesi është shoqëruar me incidente të dhunshme, ndërsa shumë burra përpiqen të shmangin rekrutimin ose të largohen ilegalisht nga vendi.

Aktualisht, ushtria ukrainase numëron rreth 900 mijë ushtarë dhe rekruton çdo muaj rreth 30–35 mijë persona. Sipas legjislacionit në fuqi, burrat e moshës 25 deri në 60 vjeç nuk lejohen të largohen nga Ukraina pa një leje të posaçme.

Top Channel