Europa po hyn në një tjetër periudhë temperaturash ekstreme sipas ekspertëve, teksa vala e të nxehtit që ka përfshirë jugperëndimin e kontinentit pritet të zgjerohet gjatë ditëve në vijim me shtrirje drejt veriut dhe lindjes.
Sipas Severe Weather Europe, pas Europës Perëndimore, temperaturat shumë të larta do të përfshijnë edhe rajonet qendrore të saj, Italinë dhe Ballkanin.
Meteorologët shpjegojnë se mbi Europën Perëndimore dhe Jugperëndimore është vendosur një sistem i fuqishëm i presionit të lartë atmosferik, i cili vepron si një “kapak”, duke mbajtur të bllokuar ajrin e nxehtë dhe duke penguar depërtimin e masave më të freskëta nga Atlantiku.
Për pasojë, Spanja, Portugalia dhe Franca prej disa ditësh po përballen me temperatura jashtëzakonisht të larta. Në këto vende temperaturat janë 10 deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, ndërsa në disa rajone kanë kaluar kufirin e 40 gradëve.
Aktualisht, masa më e nxehtë e ajrit ndodhet mbi Europën Perëndimore, por gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme ajo pritet të shtrihet drejt Evropës Qendrore, Alpeve, Italisë dhe Ballkanit. Sipas metereologëve, vendet ballkanike do të përballen me një rritje të ndjeshme të temperaturave.
Në shumë zona, termometri pritet të shënojë nga 35 deri në 39 gradë Celsius, ndërsa në disa rajone temperaturat mund t’i afrohen edhe 40 gradëve.
Parashikimet tregojnë se javën e ardhshme ajri më i nxehtë do të përqendrohet mbi Italinë jugore dhe pjesë të Ballkanit, ku temperaturat maksimale ditore mund të arrijnë nga 38 deri në 41 gradë Celsius. Sipas projeksioneve afatmesme, kjo valë e të nxehtit mund të zgjasë deri në mesin e muajit korrik.
Top Channel