Dy ishuj koralesh në Paqësor mbeten të paprekura nga njeriu, shkencëtarët zbulojnë një botë të fshehur

11/11/2026 19:57

Ndonëse gjurmët e aktivitetit njerëzor janë shtrirë pothuajse në çdo cep të planetit, nga thellësitë e oqeaneve deri në majat më të larta të maleve, dy zona të izoluara në Oqeanin Paqësor duket se kanë mbetur thuajse të paprekura.

Bëhet fjalë për atollet Bikar dhe Bokak, në Ishujt Marshall, të cilat shkencëtarët i përshkruajnë si disa nga ekosistemet detare më të egra dhe më të ruajtura në botë.

Zbulimi vjen pas një studimi të gjerë shkencor, i cili analizoi biodiversitetin e këtyre dy zonave, nga bimësia dhe kolonitë e zogjve të detit deri te shkëmbinjtë koralorë dhe organizmat që jetojnë në thellësi të oqeanit.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Alan Friedlander, ekolog detar në Universitetin e Havait, kërkimi përbën vlerësimin e parë gjithëpërfshirës ekologjik të Rezervatit Kombëtar Detar Bikar dhe Bokak.

Ai i cilësoi këto zona si thesare jo vetëm për Ishujt Marshall, por për të gjithë planetin, duke vlerësuar rolin e komunitetit të Atollit Utirik, i cili i ka mbrojtur tradicionalisht këto ekosisteme për dekada me radhë.

Bikar dhe Bokak janë atollet më veriore të Ishujve Marshall dhe ndodhen përkatësisht 115 dhe 384 kilometra larg zonës më të afërt të banuar.

Në vitin 2023, një ekip studiuesish zhvilloi një ekspeditë të detajuar në të dyja zonat. Ata analizuan popullatat e zogjve të detit dhe atyre bregdetarë, hartuan bimësinë, identifikuan vendet ku shumohen breshkat dhe studiuan shkëmbinjtë koralorë dhe komunitetet e peshqve.

Për të eksploruar edhe pjesët më të thella të oqeanit, shkencëtarët përdorën pajisje zhytjeje, kamera nënujore, sisteme regjistrimi në det të thellë dhe një nëndetëse. Kjo u mundësoi atyre të krijonin një panoramë të hollësishme të jetës detare në këto zona.

Rezultatet ishin mbresëlënëse. Studiuesit identifikuan 15 koloni zogjsh deti që po shumoheshin ose kishin gjasa të shumoheshin, si dhe qindra grupe të ndryshme peshqish dhe grabitqarësh detarë, përfshirë peshkaqenët. Madje, dy prej specieve të regjistruara mund të rezultojnë të panjohura më parë për shkencën.

Ekspedita dokumentoi gjithashtu 132 fole të breshkave të gjelbra të detit, të përqendruara pothuajse tërësisht në atollin Bikar.

Megjithëse të dyja zonat kanë shumë karakteristika të përbashkëta, ato dallojnë në disa aspekte. Bokak ka një biomasë më të madhe të peshqve të shkëmbinjve nënujorë dhe karakterizohet nga korale të shumta, ndërsa Bikar ka një larmi më të madhe algash.

Gjetjet e këtij studimi ndihmuan në krijimin e një zone të mbrojtur detare me sipërfaqe prej 48 mijë kilometrash katrorë përreth dy atolleve. Kjo është zona e parë kombëtare e mbrojtur detare e Ishujve Marshall.

Sipas Dr. Friedlander, rëndësia e këtyre territoreve shkon përtej biodiversitetit që ato strehojnë. Ato përfaqësojnë një pikë referimi për shkencëtarët, të cilët mund të studiojnë mënyrën se si funksionojnë ekosistemet detare kur ndikimi njerëzor është minimal.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se izolimi gjeografik nuk i mbron plotësisht këto zona nga ndryshimet klimatike. Rritja e temperaturave të oqeaneve, zbardhja e koraleve, ngritja e nivelit të detit dhe ndryshimet në produktivitetin detar përbëjnë kërcënime gjithnjë e më të mëdha edhe për shkëmbinjtë koralorë më të largët të planetit.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Marine Science”, thekson se Bikar dhe Bokak mund të shërbejnë si laboratorë natyrorë për të kuptuar se si duken dhe funksionojnë ekosistemet e shëndetshme detare, në një kohë kur ndikimi i aktivitetit njerëzor po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në oqeanet e botës.

Top Channel