Zvërneci, emancipim shoqëror, politik dhe konkurrencë politiko-turistike në Rajon
Nga Leonard Demi
Asnjë komb nuk mund të gjejë siguri të vërtetë në izolim… Paqja ruhet më mirë nga aleanca të forta, përgjegjësi të përbashkët dhe parandalim i besueshëm.
Dwight D. Eisenhower
Sot, udhëheqësit e të 32 shteteve anëtare të NATO-s do të takohen në kryeqytetin turk, nën masa gjithpërfshirëse sigurie dhe mbrojtje ajrore në gatishmëri të lartë, ku bie në sy edhe aeroporti i ri VIP, i ndërtuar posaçërisht për të pritur udhëheqësit e Aleancës.
Uniteti i Traktatit të Uashingtonit
Në Samitin e Ankarasë, suksesi i Kreut të Aleancës, Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs, Mark Rutte, do të matet, kryesisht, nga aftësia e tij për të mbajtur Shtetet e Bashkuara në qendër të NATOs, si dhe të rikthejë besimin në rënie të udhëheqësve evropianë: në qoftë se trupat ruse do të hynin edhe vetëm disa kilometra në territorin e NATO-s, Shtetet e Bashkuara do të ishin bashkë me aleatët evropianë për t’iu dhënë një kundërpërgjigjeje të njësuar Rusisë sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit. Për këtë arsye, ai vizitoi Shtetet e Bashkuara në fund të muajit të kaluar dhe më 24 qershor, në zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, u duk se Sekretari Rutte e qetësoi zemërimin e Presidentit Trump, ku, me anë të grafikëve, i tregoi se aleatët evropianë po “barazonin” shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të Shteteve të Bashkuara. Ligjërata e tij u përqendrua në dy vitet e fundit, kur shpenzimet e NATO-s janë mbi 250 miliardë dollarë. Zoti Rutte u bë më tërheqës kur nxori një grafik, që demonstronte ‘Trilionin Trump’.
Në këtë mision, disa gazetarë evropianoperëndimorë e krahasuan Sekretarin Rutte me një mësues të shkencave politike, që i shpjegon një klase ku bënte pjesë edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, bazat e shpenzimeve të mbrojtjes. “Pos kërcënimit rus”, vijoj ai, “jam, gjithashtu, absolutisht i bindur se ju, duke qenë president i Shteteve të Bashkuara, sollët ndryshimin: barazuat shpenzimet e mbrojtjes të dy krahëve të Aleancës, të alatëve evropianë me ato të Shteteve të Bashkuara, gjë që nuk është arritur ndonjëherë që nga koha e Presdentit Eisenhower.” Me konkluzionin “kjo është puna juaj,” zoti Rutte përfundoi mësimin e tij tregues, duke mos lenë pa vënë në dukje edhe vendet e reja të punës, që kishte krijuar rritja e shpenzimeve për mbrojtjen. Por, në ligjërimin e vet zoti Rutte nuk tha se Presidenti Dwight D. Eisenhower nuk kishte kërcënuar se do të minonte NATO-n; përkundrazi, duke u mbështetur në përvojen e vet si Komandant Suprem i Aleatëve, Presidenti Eisenhower ngriti dhe forcoi pjesën më të madhe të NATOs. Sdoqoftë, zoti Rutte jo vetëm që e njohu Presidentin amerikan me përpjekjet evropiane për të forcuar Aleancën, por u përpoq të arrinte edhe qëllimin tjetër: të realizonte një Samit të suksesshëm në Ankara.
Shumë studjues mendojnë se ka pak gjasa që zoti Trump t’i ofrojë Samitit mbështetje të plotë dhe në mënyrë të qartë. Gjatë mandatit të tij të parë, në 2017, në Samtin e NATOs në Bruksel, ai refuzoi të përmendte Nenin 5 të Traktatit të Uashingtoni, i cili sanksionon parimin e mbrojtjes kolektive: “një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Liderët e Aleancës janë të angazhuar që në Ankara të mënjanojnë ndonjë shpërthim të Presidentit Trump për shkak të ngurimit evropian për të kontribuar në operacionin ushtarak amerikan kundër Iranit, të cilin shumë prej tyre e kanë konsideruar si të pamenduar dhe të paligjshëm. Organzatorët shpresojnë se Samiti do të demonstrojë unitetin me Shtetet e Bashkuara, mbështetje për Ukrainën dhe do t’i dërgojë Presidentit Putinit një sinjal të qartë se NATO mbetet e bashkuar përballë agresiont rus. Megjithatë, pas deklaratave të 3 korrikut, ku Presidenti amerikan e konsideroi “qesharake” mbështetjen që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i japin NATOs, ata janë të shqetësuar se tensionet me Presidentin Trump mund ta errësojnë suksesin e Samitit.
Qendra e Politikave të Ankarasë vëren se përsa i përket raportit te tensionuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës gjatë Samitit të Ankarasë nuk duhet të pritet ndonjë mrekulli, por, nëse do të ketë një konvergjencë idesh, që theksojnë rëndësinë e NATOs, kjo duhet të shihet si një sukses apo si një pikë referimi në historinë e NATOs”.
Transferim përgjegjësish: tre komanda historikisht të drejtuara nga gjeneralë ameriknë kalojnë nën komandën e evropianëve
NATO po shkon në Ankara me një konfigurim të strukturës ushtarake të paparë që nga dita e themelimt të vet, prill 1949: tre komanda operative të Aleancës, të drejtura historikisht nga oficerë amerikanë, po transferohen te komandantë evropianë. Ky vendim, i njoftuar më 6 shkurt, u përshëndet menjëherë nga Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte si përqasje e një “shtylle evropiane” brenda Aleancës, e cila mbart përgjegjësinë për planifikimin dhe kryerjen e operacioneve ushtarake të NATOs në rast krize ose konflikti.
Kjo shtyllë evropiane ngërthen Komandat e Forcës të Bashkuar (Joint Force Command, JFC) në Brunssum, Holandë; në Napoli, Itali dhe në Norfolk, Virxhinia.
“Këto komanda, që drejtohen nga gjeneralë me katër yje, ofrojnë udhëheqje operacionale: vendosjen e trupave, koordinimin me forcat detare dhe ajrore, si dhe sigurimin e përforcimeve të nevojshme në situata krize dhe konflikti brenda zonës së tyre të përgjegjësisë. Zëvendësdrejtor i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Strategjike në Paris (IRIS), Jean-Pierre Maulny, vëren se këtë veprimtari operative ato janë në gjendje ta kryejnë për një periudhë njëvjeçare, duke trajnuar me efektivtet të plotë forcat, që komandojnë.
Komanda e Forcës të Bashkuar në Norfolk (JFC Norfolk) është selia operative e NATOs në Amerikën e Veriut dhe është përgjegjëse për Atlantikun e Veriut, që nga Florida deri në Finlandë: një zonë strategjike përmes së cilës përforcimet amerikane dhe kanadeze, në rast lufte, do të kalojnë nën komandën e evropianëve. Komanda raporton drejtpërdrejt te Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën (SACEUR) dhe një nga detyrat e saj kryesore është sigurimi i linjave strategjike detare të komunikimit përtej Atlantikut.
Komanda e Forcës të Bashkuar në Napoli përshtat strukturën ushtarake aleate me sfidat operacionale të luftës së koalicionit, për t’u përballur me kërcënimet e reja. Struktura e re e kësaj Komande është më e thjeshtë, më fleksibël, më efikase dhe më e aftë për të kryer gamën e plotë të misioneve të Aleancës në krahun jugor: nga Mesdheu në Afrikën e Veriut.
Komanda e Forcës të Bashkuar në Brunssum, Holandë, planifikon, ekzekuton dhe mbështet operacione ushtarake për të shkurajuar armiqtë e NATOs dhe për të mbrojtur Aleancën kundër të gjitha kërcënimeve, që mund t’i vinë nga krahu lindor, i cili konsiderohet rajoni më i ekspozuari që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në shkurt 2022. Prania e avancuar ushtarake e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës është tejet e rëndësishme si element shkurajues dhe mbrojtjës, proporcional, transparent dhe në përputhje me angazhimet dhe detyrimet ndërkombëtare të Aleancës. Ajo, gjithashtu, përfaqëson një angazhim të rëndësishëm të aleatëve kundër ndonjë operacioni të tipit “flamur i rremë”, të projektuar nga zoti Putin, për të krijuar një pretekst për përshkallëzim kundër një vendi të NATO-s dhe është një kujtesë e patjetërsueshme se një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s është një sulm ndaj të gjithëve.
Komandanti amerikan i Komandës të Forcës të Bashkuar Aleate në Norfolk, do të zëvendësohet nga një gjeneral Brtanik, Italia do të marrë përsipër komandën e Komandës të Forcës të Bashkuar Aleate në Napoli, Gjermania dhe Polonia do të ndajnë komandën e Komandës të Forcës të Bashkuar Aleate në Brunssum. Sidoqoftë, të tre komandantët rajonalë nuk do të jenë në gjendje të veprojnë pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara sepse Uashingtoni do të vazhdojë të mbajë pozicionin e Komandantit Suprem të Forcave Aleate për Evropën, SACEUR, pozicioni më i lartë në hierarkinë ushtarake të Aleancës, përgjegjës për të gjithë planifikimin e mbrojtjes që nga viti 1951. Kësisoj, Komandantët rajonalë nuk do të jenë në gjendje të veprojnë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara do të ruajnë kontrollin e tre Komandav të Nivelit Taktik: komandat ajrore, tokësore dhe detare, të cilat ofrojnë ekspertizë dhe mbështetje për tre Komandat e Forcës të Bashkuar dhe që janë nën komandën e SACEUR, konkretisht: Komandën Tokësore Aleate (LANDCOM) në Izmir, këshilltari kryesor për forcat tokësore të Aleancës në mbështetje të Komandës të Forcës së Bashkuar, që drejton një operacion të madh; Komandën Detare Aleate (MARCOM) Northwood, Mbretëri e Bashkuar, këshilltari kryesor detar i Aleancës, roli i së cilës është të ofrojë komandë dhe kontroll për të gjithë spektrin e operacioneve dhe detyrave të përbashkëta detare; si dhe Komandën Ajrore Aleate (AIRCOM), Ramstein, Gjermani, e cila planifikon dhe drejton komponentin ajror të operacioneve dhe misioneve të Aleancës, si dhe ekzekuton operacionet dhe misionet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATOs.
Këto komanda, pos aftësive kryesore ushtarake, zotërojnë inteligjencën, logjistikën dhe aftësitë e goditjes, nga të cilat varen tre selitë operative, që tani u janë besuar evropianëve.
Ky transferim përgjegjësish është pjesë e një lëvizjeje, që zë fill në Uashington nën trysninë e Presidentit Trump dhe ka për qëllim zvogëlimimin e kapaciteteve amerkane në Evropë dhe angazhimin e evropianëve për të marrë në dorë përgjegjësinë për sigurinë e tyre, që do të thotë më shumë pushtet vendimmarrës. Kësisoj, Samiti i 36-të i NATO-s në Ankara do të jetë takimi i parë i madh i Aleancës sipas kësaj shpërndarjeje të re të përgjegjësive.
Epilog
Ditët e fundit kanë qarkulluar disa kundërthënie, të cilat venë në dyshim mbjatjen e samtit të radhës të NATOs në Tiranë për shkak të shpenzimeve të pakta, që qeveria ka miratuar për mbrojtjen. Këto dyshime u nxitën edhe ngaqë draftdeklarata e Samtit të Ankarasë, deri më sot, nuk e përmend mbajtjen e takimit të ardhshëm në Shqipëri. Kjo pasiguri mund të vijë edhe për faktin që NATO po shqyrton mundësinë për t’i dhënë fund praktikës të mbajtjes së samiteve vjetore. Ndërkaq, Shqipëria po merr masa për të përmbushur zotimin e NATO-s dhe, për vitin 2026, planifikon të shpenzojë për mbrojtjen 2.6% të PBB-së.
Një element tjetër shumë i rëndësishëm dhe inkurajues që konkretizon vendimet e Samtit të Hagës dhe një nga pikat e agjendës të Samitit të Ankarasë (Beştepe, Panorama, 17 qershor) është Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë shqiptare KAYO sh.a. dhe gjigandit italian Fincantieri, një nga liderët globalë në fushën e ndërtimit të anijeve, që synon zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri, duke përfshirë jo vetëm ndërtimin e anijeve luftarake dhe civile, por dhe forcimin e kapaciteteve të prodhimit në bazën detare të Pashalimanit për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këto kushte, në Tiranë, NATO mund të organizojë jo vetëm Samitin e vet të 37-të, por edhe takime të tjera të specializuara.
Top Channel