BE drejt ndryshimit të madh, ukrainasit në moshë ushtarake mund të humbasin mbrojtjen e përkohshme
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme të reja ushtarake, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Përshkallëzimi i fundit i tensioneve vjen pas një sulmi me dron ndaj një anijeje cisternë me flamur të Panamasë në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avionët luftarakë amerikanë goditën 10 objektiva ushtarake iraniane në zona të ndryshme brenda dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas ushtrisë amerikane, objektivat përfshinin sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje ushtarake, qendra komunikimi dhe depo dronësh, si përgjigje ndaj asaj që e cilësoi “agresion të vazhdueshëm” kundër anijeve tregtare.
Në reagim, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se kishte lëshuar raketa balistike dhe dronë ndaj bazës amerikane Ali al-Salem në Kuvajt dhe objekteve të Flotës së Pestë Detare në Bahrein. Teherani pretendon se sulmet goditën tetë objektiva kyçe të infrastrukturës amerikane.
Megjithatë, një zyrtar amerikan i tha Reuters se nuk ka raportime për viktima amerikane apo dëme të konsiderueshme në bazat ushtarake të SHBA-së në rajon.
SHBA-ja argumenton se Irani shkeli armëpushimin pasi një dron iranian goditi anijen cisternë MT Kiku me flamur të Panamasë. Sipas CENTCOM, Teheranit iu dha mundësia të respektonte marrëveshjen, por zgjodhi të vazhdonte sulmet ndaj transportit tregtar.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se sulmet amerikane ndaj pesë posteve bregdetare iraniane përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më herët këtë muaj. Teherani paralajmëroi se çdo sulm i ardhshëm ndaj territorit të tij do të marrë një “përgjigje shkatërruese” dhe mund të çojë në ndërprerjen e plotë të procesit të armëpushimit.
Ministria e Jashtme e Iranit dënoi gjithashtu sulmet amerikane, duke i cilësuar ato si “brutale” dhe si dëshmi se Uashingtoni nuk respekton angazhimet ndërkombëtare.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes platformës Truth Social, duke paralajmëruar se Irani mund të përballet me pasoja edhe më të rënda nëse vazhdon veprimet ushtarake.
“Mund të vijë një moment kur nuk do të jemi më në gjendje të jemi të arsyeshëm dhe do të detyrohemi të përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me shumë sukses. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më”, shkroi Trump.
Top Channel