Takimi që përfundoi në tragjedi, menaxherja e Microsoft filmohet me vrasësin pak orë para se të gjendej e pajetë

30/10/2026 10:12

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbardhur momentet e fundit të jetës së Jennifer Symonds, 44-vjeçares që u gjet e pajetë pranë lumit Thames, në Angli. Ajo ishte parë në shoqërinë e Nelio Gouveia, 45 vjeç, i cili ka pranuar para gjykatës se e ka vrarë më 6 mars.

Pamjet e siguruara nga gazeta britanike “Daily Mail” tregojnë Symonds duke mbërritur së bashku me Gouveian në një restorant të stilit mesdhetar në Henley-on-Thames, në Oxfordshire, rreth orës 21:15. Dyshja kishte dalë për një takim, por nuk arriti të qëndronte në restorant, pasi kamerieri i informoi se kuzhina ishte mbyllur.

Në pamje, 44-vjeçarja shihet e veshur me një pallto të gjatë të zezë, ndërsa pas saj hyn Gouveia, me një xhaketë të zezë dhe xhinse të grisura. Pas një bisede të shkurtër me kamerierin, Symonds falënderon me një gjest të dorës dhe largohet nga ambienti.

Kjo do të ishte hera e fundit që ajo do të shihej e gjallë. Trupi i saj u gjet në orën 07:50 të mëngjesit të ardhshëm, pranë lumit Thames, brenda territorit të klubit privat Phyllis Court, rreth gjysmë milje larg restorantit ku ishte parë me 45-vjeçarin.

Sipas raportimeve, Symonds ishte takuar me Gouveian për të pirë diçka më herët gjatë mbrëmjes. Ndërkohë, mes orës 02:00 dhe 03:00 të mëngjesit, pranë një pavijoni në afërsi të klubit ishte dëgjuar një zhurmë dhe një përplasje.

Gouveia, i cili dyshohet se kishte punuar si ndihmës në kuzhinën e klubit privat, u arrestua në vendngjarje dhe më pas u akuzua për vrasje. Ai u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Oxford, ku pranoi fajësinë për vrasjen. I veshur me uniformë burgu gri dhe i ndihmuar nga një përkthyes i gjuhës portugeze, ai qëndroi me kokën ulur gjatë seancës së shkurtër.

Gjykatësi Ian Pringle vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim, ndërsa seanca e radhës, ku pritet të shqiptohet dënimi, është caktuar më 20 nëntor. Jennifer Symonds kishte punuar për më shumë se gjashtë vjet në kompaninë Microsoft, në selinë britanike në Reading, si menaxhere e lartë e llogarive dhe marrëdhënieve me klientët. Ajo ishte larguar nga puna në janar të vitit 2025.

Sipas një miku të saj, pas largimit nga Microsoft, 44-vjeçarja kishte hasur vështirësi për të gjetur një punë të re dhe po kalonte një periudhë të vështirë personale. Ai shtoi se, ajo kishte qenë e shqetësuar edhe për një çështje gjyqësore të vitit të kaluar, pasi kishte akuzuar një ish-partner për sulm fizik, por ai ishte shpallur i pafajshëm.

Megjithatë, ai e përshkroi Jenniferin si një person të dashur, zemërmirë dhe shumë të pëlqyer nga banorët e zonës, me të cilët komunikonte shpesh. Ajo jetonte në një apartament në katin e parë, mbi një sallon bukurie në qendër të Henley-on-Thames, vetëm tre minuta larg lumit.

Pas vdekjes së saj, miqtë kërkuan që lulet në kujtim të Jenniferit të vendoseshin pranë një stoli në Red Lion Lawn, vend që ajo e konsideronte të preferuarin e saj.

Inspektori Rob Underhill, nga Njësia e Krimeve të Rënda e Policisë së Thames Valley, u shpreh se mendimet e tij janë me familjen e viktimës, e cila ka humbur një njeri të dashur. Ai i cilësoi veprimet e Gouveias si të rënda dhe theksoi se rasti dëshmon angazhimin e policisë në hetimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

 

Top Channel