Video/ “Je i çmendur që bën pyetje të tilla”, Trump shpërthen ndaj gazetarit të Reuters: I neveritshëm, kujdesu për formën tënde fizike

30/10/2026 10:10

Presidenti amerikan Donald Trump është përfshirë në një përplasje verbale me një gazetar të agjencisë Reuters, pasi ky i fundit e pyeti nëse anulimi i një vizite elektorale në Kansas kishte lidhje me lodhjen apo shqetësimet për shëndetin e tij.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 29 tetor, pas kthimit të Trump nga një aktivitet elektoral në Karolinën e Jugut, teksa ai po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve pranë avionit presidencial Air Force One.

Fillimisht, gazetari Jacob Bogage e pyeti presidentin se si ndihej dhe nëse ishte mirë me shëndet, duke iu referuar udhëtimeve të shumta që Trump ka zhvilluar gjatë javëve të fundit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.

Trump u përgjigj se ndihej shumë mirë, por reagimi i tij ndryshoi kur gazetari e pyeti nëse vendimi për të mos udhëtuar drejt Kansasit kishte lidhje me lodhjen nga udhëtimet.

“Je i çmendur që bën një pyetje të tillë. Je i sëmurë. Me kë je?”, iu drejtua Trump gazetarit.

Pasi mori përgjigjen se ai ishte nga Reuters, presidenti amerikan vijoi sulmin verbal: “Je një njeri i sëmurë. Reuters është i tmerrshëm, meqë ra fjala”.

Gazetari i tha se qëllimi i pyetjes ishte vetëm të sigurohej që presidenti të ishte mirë, por kjo e acaroi edhe më shumë Trumpin, i cili kaloi në komentet personale për pamjen fizike të reporterit.

“Shikojeni këtë njeri, është shumë jashtë forme. Ti je i neveritshëm. Kujdesu për formën tënde fizike, dukesh tmerrësisht keq”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump këmbënguli se ndihej në gjendje të shkëlqyer dhe mohoi që anulimi i vizitës në Kansas të kishte lidhje me shëndetin apo lodhjen. Ai shpjegoi se nuk e konsideronte të nevojshme të merrte pjesë fizikisht në aktivitet, pasi kandidati republikan që ai do të mbështeste, senatori Roger Marshall, sipas tij, po ecte mirë në garë.

Në vend të pjesëmarrjes fizike, Trump tha se do të zhvillonte një aktivitet elektoral në distancë, ndërsa konfirmoi se do të udhëtonte drejt Floridës.

 

View this post on Instagram

 

Top Channel