Sulm i tmerrshëm në vilën miliona dollarëshe në Toronto, qëllohet me armë zjarri drejtori ekzekutiv dhe dy vajzat e tij, bashkëshortja goditet me çekiç

30/10/2026 10:58

Një ngjarje e rëndë ka tronditur një nga lagjet më luksoze të Torontos në Kanada, ku katër anëtarë të së njëjtës familje kanë mbetur të plagosur rëndë pas një sulmi të armatosur në banesën e tyre.

Tre persona të maskuar kanë hyrë me forcë në vilën e drejtorit ekzekutiv të kompanisë Mac Group, David Morton, rreth orës 03:45 të mëngjesit të së dielës, ndërsa ai dhe familja e tij ndodheshin brenda banesës.

Ngjarja ka ndodhur në komunitetin e rrethuar me siguri Hyde Park Circle, në një zonë elitare të Torontos, ku pronat shiten për miliona dollarë. Sipas policisë, dy prej autorëve ishin të armatosur me pistoleta, ndërsa personi i tretë mbante një çekiç.

Gjatë sulmit, drejtori ekzekutiv David Morton dhe dy vajzat e tij të rritura, Maggie dhe Cristina Zohil-Morton, u qëlluan me armë zjarri. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Doriana Zohil, u godit me çekiç.

Të katër anëtarët e familjes u transportuan me urgjencë në spital. Sipas inspektores së policisë së Torontos, Kristy Smith, dy prej tyre kanë pësuar dëmtime që do të ndikojnë në mënyrë të përhershme në jetën e tyre, ndërsa dy të tjerët kanë plagë të rënda, por që nuk përbëjnë rrezik për jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se cilët prej familjarëve kanë pësuar dëmtimet më të rënda. Sipas policisë, gjithçka nisi pasi tre personat e maskuar kërkuan sende me vlerë në banesë. Më pas, brenda shtëpisë shpërtheu një përleshje dhe autorët qëlluan disa herë me armë zjarri.

Një burim i cituar nga gazeta “Toronto Sun” tha se familjarët tentuan t’u rezistonin sulmuesve, por u qëlluan gjatë përleshjes. Sipas të njëjtit burim, Morton dhe njëra prej vajzave u qëlluan në këmbë, ndërsa vajza tjetër në krah. Media raportoi gjithashtu se të katër familjarët ishin goditur edhe në kokë me çekiç.

Pas sulmit, tre personat u larguan me një automjet tip SUV. Deri tani, policia nuk ka dhënë një përshkrim të detajuar të autorëve. Banesa e familjes ishte e pajisur me kamera sigurie dhe pamjet e regjistruara tashmë i janë dorëzuar policisë.

Inspektorja Kristy Smith deklaroi se në këtë fazë nuk ka prova që familja apo banesa e saj të kenë qenë objektiv i qëllimshëm i sulmuesve. Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar motivin e ngjarjes dhe po shqyrtojnë nëse autorët kishin vëzhguar edhe banesa të tjera në zonë përpara sulmit.

“Qytetarët duhet të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre”, deklaroi Smith, duke siguruar se policia do të bëjë gjithçka për identifikimin dhe arrestimin e përgjegjësve.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se kohët e fundit në lagjet e pasura të Torontos është vërejtur një rritje e grabitjeve të dhunshme në banesa. Sipas saj, ndërsa rastet e vjedhjeve të automjeteve me dhunë në rrugë kanë shënuar rënie, janë shtuar hyrjet me forcë në banesa, ku autorët synojnë kryesisht vjedhjen e makinave.

Top Channel