Fytyra e Trumpit në pasaportat përkujtimore amerikane për 250-vjetorin e SHBA-së, DASH: Qasja është e kufizuar

28/06/2026 08:09

Administrata e presidentit Donald Trump ka prezantuar një pasaportë amerikane me edicion të kufizuar për të shënuar 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara, e cila përfshin një fotografi të presidentit në një nga faqet e dokumentit.

Pasaporta do të jetë në dispozicion duke filluar nga 6 korriku dhe do të shpërndahet vetëm deri në përfundimin e rezervave.

Trump publikoi në rrjetin social Truth Social imazhet e dizajnit të ri, ku ai shfaqet me grushtin e ngritur pranë tavolinës Resolute, me Deklaratën e Pavarësisë në sfond dhe nënshkrimin e tij poshtë fotografisë. Më pas, Shtëpia e Bardhë i publikoi të njëjtat imazhe në platformën X, duke e cilësuar dokumentin si një “pasaportë patriotike”.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, pasaporta përkujtimore do të jetë e disponueshme vetëm për qytetarët amerikanë dhe qasja në të do të jetë e kufizuar. Aplikimet nuk mund të bëhen online ose me postë, por vetëm përmes një takimi fizik në Agjencinë e Pasaportave në Uashington, D.C., ose gjatë disa aktiviteteve të posaçme të organizuara për këtë edicion.

Aktualisht, vetëm dy ngjarje të tilla janë shpallur dhe të dyja zhvillohen në Agjencinë e Pasaportave në Uashington. Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se do të shtohen edhe data të tjera sapo të konfirmohen.

Nuk është bërë e ditur nëse qytetarët që aplikojnë personalisht në këtë agjenci do të kenë mundësinë të zgjedhin mes pasaportës standarde dhe asaj përkujtimore.

Pasaportat standarde amerikane përmbajnë ilustrime të ngjarjeve historike dhe simboleve kombëtare, si ulja në Hënë dhe Statuja e Lirisë. Ndërkohë, edicioni përkujtimor shënon herën e parë që një president aktual dhe ende gjallë shfaqet në një pasaportë amerikane.

Versioni i parë i këtij projekti ishte prezantuar në prill dhe kishte një dizajn disi ndryshe, ku paraqitej vetëm portreti i Trumpit, me nënshkrimin e tij në ngjyrë ari dhe pa numrin “250”, që është shtuar në versionin përfundimtar.

Pasaporta përkujtimore është pjesë e një sërë iniciativash të administratës Trump për festimin e 250-vjetorit të SHBA-së. Ndër to përfshihen edhe planet për një monedhë ari përkujtimore me imazhin e presidentit, si dhe nisma të tjera që synojnë të lënë një gjurmë të përhershme të presidencës së tij në institucionet dhe simbolikën shtetërore.

Top Channel