Franca ndalon cisternën e flotës “fantazmë” ruse në Mesdhe, Macron: Nuk do t’i shmangen sanksioneve
Aleatët e NATO-s pritet të shpallin kontrata të reja armësh me vlerë miliarda dollarë, rritje të prodhimit ushtarak dhe një paketë të re mbështetjeje për Ukrainën gjatë samitit të aleancës që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, thanë pesë diplomatë të NATO-s për Politico.
Në draft-deklaratën e samitit, vendet anëtare pritet të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj Nenit 5 të NATO-s, i cili garanton mbrojtjen kolektive të aleatëve, si dhe ta përshkruajnë Rusinë si një kërcënim afatgjatë për sigurinë euroatlantike.
Sipas diplomatëve, aleanca synon gjithashtu të zotohet për 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë këtij viti dhe për një shumë të paktën të barabartë edhe vitin e ardhshëm. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk pritet të marrin pjesë në këtë paketë financimi.
Samiti zhvillohet në një periudhë tensionesh brenda aleancës, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për shpenzimet e ulëta në mbrojtje dhe për mungesën e mbështetjes ndaj politikave amerikane në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, synon ta përqendrojë samitin te forcimi i industrisë së mbrojtjes dhe rritja e prodhimit ushtarak në vendet anëtare. Sipas tij, kjo është e domosdoshme për të përballuar sfidat e sigurisë dhe për të siguruar furnizime më të shpejta dhe më të mëdha me armë.
Draft-deklarata parashikon gjithashtu që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, përmes investimeve në sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë dhe aftësi për goditje me rreze të gjatë veprimi.
Kjo vjen në një kohë kur Uashingtoni po rishikon praninë e tij ushtarake në Evropë. Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi një vlerësim gjashtëmujor të forcave amerikane në kontinent, duke shtuar presionin mbi aleatët për të rritur shpenzimet ushtarake.
Një tjetër çështje që pritet të diskutohet në Ankara është situata në Iran. Në draft-deklaratë, aleatët i bëjnë thirrje Teheranit të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë. Dokumenti thekson gjithashtu se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.
Top Channel