Gjashtë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit në Himalaje, mes viktimave edhe piloti
6.3 miliardë dollarë i janë grabitur gjigandit të kriptomonedhave Binance pas një sulmi kibernetik.
Kompania dyshon se në goditjen ndaj saj janë përfshirë hakerë të sponsorizuar nga shteti i Koresë së Veriut, ndërsa rreth 3 miliardë dollarë janë ngrirë. Platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, e pohoi dhe vetë incidentin e rëndë të sigurojë, që mund të përbëjë grabitjen më të madhe në historinë e tregut të kriptomonedhave.
Binance njoftoi se kishte pezulluar përkohësisht të gjitha depozitat dhe tërheqjet e parave. Sipas hetimeve paraprake, hakerët kanë arritur të kryejnë transaksione të paautorizuara pasi kishin siguruar më parë qasje në laptopin e komprometuar të një inxhinieri të kompanisë.
Binance pohoi se do të mbulojë të gjitha humbjet financiare, duke garantuar se fondet e përdoruesve janë të sigurta.
“Ekipet tona po punojnë pa ndërprerje për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë të sigurt dhe të plotë”, thuhet në deklaratën e kompanisë për televizionin e Katarit, Al Jazeera.
Gjithashtu, Binance bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet ligjzbatuese për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i vënë ata përpara drejtësisë. Kompania premtoi se, pas përfundimit të hetimeve, do të publikojë një raport të detajuar teknik mbi mënyrën se si u realizua sulmi.
Firma e inteligjencës blockchain, TRM, sakaq vlerëson me “besueshmëri të lartë” sipas saj, se sulmi është ndërmarrë nga njësia e hakerëve TraderTraitor, e lidhur me Korenë e Veriut dhe grupin famëkeq Lazarus.
Episodi i paprecedent po përshkruhet si ngjarje që shënon një pikë kthese për sigurinë e tregut të kriptomonedhave, pasi para të tilla mund të përdoren për financimin e programeve të armëve dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese, duke e kthyer çështjen në një problem të sigurisë globale dhe jo thjesht në një vjedhje financiare.
Lajmi për grabitjen shkaktoi reagim të menjëhershëm në tregjet e kriptomonedhave, ku çmimi i Bitcoin, monedhës dixhitale më të përdorur në botë, ra me rreth 5 për qind, duke zbritur nën nivelin e 77 mijë dollarëve.
Top Channel