Vala ekstreme e të nxehtit përfshin Evropën/ Rekord temperaturash në Francë dhe alarm i kuq në Spanjë, rriten çmimet e energjisë dhe rreziku nga zjarret

23/06/2026 12:01

Një valë e të nxehtit ka përfshirë së fundmi të gjithë Evropën.

Pothuajse e gjithë Spanja u vendos të martën nën alarm për temperatura ekstreme, ndërsa pjesë të jugut dhe veriut të vendit u përfshinë nga niveli më i lartë i paralajmërimit.

Agjencia Kombëtare e Meteorologjisë (AEMET) lëshoi alarme të kuqe për zonat përreth Kordobës në jug, Bilbaos në veri dhe disa pjesë të rajonit të Kantabrisë, duke paralajmëruar për “rrezik të jashtëzakonshëm”. Në disa zona të Vendit Bask, pranë kufirit me Francën, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, një fenomen i pazakontë për këtë rajon.

Ndërkohë, Franca regjistroi natën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1947. Sipas agjencisë kombëtare të motit, temperatura mesatare kombëtare gjatë natës arriti në 21.6 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2019.

Vala e të nxehtit po ndikon gjithashtu në tregjet energjetike evropiane. Përdorimi masiv i kondicionerëve ka rritur ndjeshëm kërkesën për energji elektrike, ndërsa rënia e shpejtësisë së erës ka kufizuar prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Situata është përkeqësuar edhe nga mbyllja e përkohshme e një centrali të madh bërthamor në Francë, për shkak të temperaturave të larta që kanë kufizuar furnizimin me ujë ftohës për reaktorët. Kompania EDF njoftoi se centrali pritet të rikthehet në funksion javën e ardhshme.

Si pasojë, çmimet e energjisë kanë arritur nivele shumëvjeçare. Në Gjermani, tregu më i madh energjetik në Evropë, çmimi me shumicë pritet të arrijë në 545.51 euro për megavat-orë, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2024. Në Francë, çmimi pritet të arrijë në 268.67 euro për megavat-orë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar afro 230 paund për megavat-orë.

Vala e të nxehtit po lëviz drejt Evropës Lindore. Në Poloni, temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius në Varshavë dhe 41 gradë në rajonin e Silezisë së Poshtme, duke rrezikuar thyerjen e rekordeve historike të temperaturave.

Autoritetet polake kanë këshilluar qytetarët të kufizojnë qëndrimin në ambiente të hapura, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të shmangin ekspozimin e gjatë në diell.

Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar për rritje të rrezikut të zjarreve në pyje dhe kanë kërkuar shmangien e zjarreve të kontrolluara, barbeque-ve dhe aktiviteteve të tjera që mund të shkaktojnë flakë në kushtet e motit të nxehtë dhe të thatë.

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Sipas organizatave mjedisore britanike, temperaturat ekstreme po ndikojnë në sistemin shëndetësor, transportin publik dhe jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur nevojën për masa urgjente përshtatëse.

Në Londër, stuhitë e forta që pasuan temperaturat e larta shkaktuan përmbytje të menjëhershme dhe ndërprerje të konsiderueshme në rrjetin e transportit publik. Brigada e Zjarrfikësve të Londrës raportoi qindra thirrje emergjente gjatë natës, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e përmbytura.

Top Channel