“Qatargate” trondit Brukselin/ Belgjika lëshon urdhër arresti për ish-komisionerin grek Avramopoulos

23/06/2026 11:53

Belgjika ka lëshuar një urdhër arresti ndaj ish-Komisionerit Europian, Dimitris Avramopoulos, në kuadër të hetimeve për skandalin e korrupsionit të njohur si “Qatargate”, i cili ka tronditur institucionet e BE-së.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i qeverisë greke dhe është raportuar edhe nga media belge dhe të tjera në Greqi. Hetimet, të nisura në vitin 2022, lidhen me dyshimet se disa zyrtarë të BE-së kanë marrë ryshfete nga Katari për të ndikuar në vendimmarrje dhe politikat e bllokut. “Qatargate” konsiderohet një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit që ka përfshirë institucionet europiane në dekadat e fundit.

Gjatë hetimeve, autoritetet belge kanë kryer kontrolle dhe kanë sekuestruar rreth 1.5 milion euro para kesh, përfshirë edhe një shumë të gjetur në një valixhe në një hotel në Bruksel. Avramopoulos nënshtetas grek që ka shërbyer si Komisioner Europian për Emigracionin deri në vitin 2019, është aktualisht deputet i partisë Nea Democracia në parlamentin grek. Vëmendja e hetuesve është përqëndruar te lidhjet e tij me një organizatë joqeveritare të themeluar nga Antonio Panzeri – ish-deputet i Parlamentit Evropian dhe një figurë qendrore në skandalin “Qatargate” – përmes së cilës ish komisioneri dyshohet të ketë marrë pagesa mujore prej 5,000 eurosh.

Autoritetet belge po e akuzojnë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, ndërsa përfitimi financiar i pretenduar arrin në rreth 73,000 euro. Avramopoulos i ka mohuar me forcë akuzat duke i cilësuar “plotësisht të pabazuara”, ndërsa shtoi se do të kërkojë heqjen e imunitetit të tij parlamentar dhe se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë të hetojë plotësisht çështjen e të dalë me një vendim të drejtë.

Top Channel