“Në 4 Korrik, e gjithë diaspora këtu”, dita e 24 e protestës, kërkohet qeveri teknike, protestuesit marshojnë nëpër kryeqytet, ndalojnë para parlamentit

23/06/2026 22:57

Mbahet sot Tiranë protesta qytetare, për të 24 ditë.

Grumbullimi i qytetarëve ka nisur si çdo ditë në sheshin Skënderbej, e më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë.

Aty kanë nisur thirrjet dhe fjalimet ku mes të tjerash kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe qeveri teknike jo më pak se 12 muaj. Ndërkohë kanë njoftuar se në 4 Korrik, diaspora do të bashkohet në protestë.

Pas disa orësh para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit. Gjatë marshimit ata kanë ndaluar para Parlamentit.

Kërkesat e plota të protestuesve lexuar para Kryeministrisë:

Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Paralelisht, kërkojmë:

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

 

Top Channel