LIVE/ “Në 4 Korrik, e gjithë diaspora këtu”, dita e 24 e protestës, qytetarët të grumbulluar para Kryeministrisë, kërkojnë qeveri teknike Në javën e tretë të protestës, grupi koordinues bëri të qartë se nuk synon vetëm ndryshimin e qeverisë, por shembjen e sistemit politik. Largimi i Edi Ramës dhe ministrave të kabinetit është kusht i panegociueshëm për t’i hapur rrugë një qeverie teknike. Ilir Xhemalaj, anëtar i grupit koordinues të protestës, mohon shndërrimin në parti politike.
“Ne nuk kemi asnjë pretendim për të bërë lëvizje partiake, thjesht kemi artikuluar këto ide. Kemi krijuar një qeveri teknike 12-mujore, e përbërë nga intelektualë të ndryshëm që do të zgjidhen po nga populli, aktualisht nuk kemi asnjë emër”, tha Ilir Xhemalaj.
Qeveria teknike realizohet vetëm përmes një marrëveshjeje të madhe politike në Parlament, por protestuesit refuzojnë klasën e vjetër. Zgjidhja e koordinatorëve të protestës i vjen nga brenda.
Dritan Goxhaj, i cili një ditë më parë artikuloi pesë kërkesat e panegociueshme në emër të grupit, ka gati një projekt-ide që parashikon shpërndarjen e Parlamentit aktual dhe zëvendësimin me një Asamble Tranzicioni të përbërë nga 101 qytetarë që do të zgjidhen me short. Kushti është që ata të jenë njerëz apolitikë.
“Se shpejti do fillojmë realizimin e disa tryezave dhe nga këto do të zgjidhen emra të caktuar. E para, duhet të jenë persona apartiakë; e dyta, persona që s’kanë pasur kurrë të bëjnë me sistemin aktual; dhe e treta, s’janë përlyer kurrë me korrupsionin e përditshëm”, tha Ilir Xhemalaj.
Asambleja ka për detyrë që të zgjedhë po me short një qeveri tranzitore, si dhe të shkruajë një Kushtetutë të re që duhet të miratohet me referendum nga populli. Qeveria e Tranzicionit menaxhon Shqipërinë vetëm 12 muaj, pa kompetenca për të realizuar tendera e nënshkruar kontrata, deri në zgjedhje të reja.
Top Channel