Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë zonën e Librazhdit dhe Prrenjasit këtë pasdite kanë krijuar vështirësi në qarkullim për shkak të inerteve të rëna në rrugë.
Për më shumë se një orë në aksin Librazhd–Prrenjas në “Kthesat e Dragostunjës”, ka vështirësi në lëvizje e për pasojë trafik të rënduar.
Rrëshqitjet kanë ndodhur në zonën ku po kryhen punimet për zgjerimin e koridorit të VIII. Kompanitë e pranishme me mjetet e tyre po punojnë për pastrimin e aksit rrugor me gjithë vështirësitë për shkak të gurëve të mëdhenj.
Pas ndërhyrjes së mjeteve të rënda dhe pastrimit të një pjese të karrexhatës, rreth orës 18:45 u bë i mundur rifillimi i qarkullimit, fillimisht vetëm me një korsi. Lëvizja e automjeteve vijon me kujdes të shtuar, ndërsa mbetet ende rreziku i rrëshqitjeve të tjera nëse reshjet e shiut vazhdojnë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar edhe më herët në raste të rrëshqitjeve për shkak të reshjeve ka kërkuar mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës duke u shprehur se “sa herë ka punime ngjarje të tilla janë të pranishme”, por menjëherë është ndërhyrë për stabilizimin e situatës.
Top Channel