Protesta kundër arrestimeve të grave përshkallëzohet në dhunë, të paktën 2 të vrarë në Afganistan

10/06/2026 17:26

Të paktën dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi forcat e sigurisë talebane hapën zjarr ndaj protestuesve në provincën Herat të Afganistanit, gjatë një demonstrate kundër arrestimeve të grave për “veshje të papërshtatshme”.

Sipas dëshmitarëve dhe burimeve lokale, protesta shpërtheu pas një vale arrestimesh nga autoritetet talebane, të cilat kishin në shënjestër gra dhe vajza të reja të akuzuara për “hixhab të papërshtatshëm”. Banorët thonë se shumë prej familjeve nuk kanë marrë ende informacion për fatin e të ndaluarave.

Ngjarja u përshkrua si një nga protestat më të rralla masive në rajon, ku rreth 70 persona dolën në rrugë pavarësisht pranisë së madhe të forcave të sigurisë. Protestuesit brohorisnin slogane si “Arsim, punë dhe liri”, duke denoncuar arrestimet që i konsiderojnë arbitrare.

Forcat talebane ndërhynë për të shpërndarë turmën, duke qëlluar në drejtim të protestuesve dhe më pas duke dërguar njësi speciale për të vendosur kontrollin në zonë. Situata u përshkallëzua shpejt në dhunë, me të paktën dy viktima dhe disa të plagosur.

Burime lokale raportojnë gjithashtu se të paktën 13 persona janë arrestuar, disa prej tyre pasi janë dhunuar gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Aktivistët nga terreni theksojnë se disa nga gratë e ndaluara nuk kishin shkelur rregullat e hixhabit, siç pretendohet nga autoritetet.

Që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021, kufizimet ndaj grave në Afganistan janë shtuar ndjeshëm, duke i përjashtuar ato nga arsimi i mesëm dhe i lartë, shumica e punësimeve publike dhe pjesëmarrja në hapësira publike si parqet.

Protestat në vend mbeten të rralla, pasi autoritetet kanë ndaluar tubimet e paautorizuara dhe shpesh i shtypin ato me forcë, përfshirë arrestime dhe dhunë ndaj protestuesve.

Top Channel