Trazira në Barcelonë gjatë vizitës së Papa Leonit, një burrë vritet jashtë stacionit të policisë

10/06/2026 18:05

Një alarm u dha të mërkurën (10 qershor) në qendër të Barcelonës, gjatë vizitës së Papa Leoni XIV, pasi një burrë qëlloi për vdekje një person tjetër pranë një stacioni policie dhe më pas u largua nga vendngjarja.

Sipas raportimeve të “El País”, ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 në rrugën Balmes, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, pranë Avenue Diagonal, përballë një zyre të Policisë Kombëtare ku qytetarët kryejnë procedura të ndryshme, përfshirë pajisjen me dokumente identiteti dhe çështje emigracioni.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar autorin e dyshuar të krimit, i cili shihej i veshur me pantallona të shkurtra dhe duke mbajtur në dorë një helmetë biçiklete. Pas të shtënave, zona u rrethua menjëherë nga forcat e Mossos d’Esquadra, me mbështetjen e Policisë Kombëtare. Në vendngjarje u vendos gjithashtu një tendë për të mbuluar trupin e viktimës, i cili më pas u tërhoq nga autoritetet.

Pak më vonë, policia gjeti armën e dyshuar të krimit të fshehur brenda një helmete, nën një ulëse autobusi në sheshin Ga·la Placídia, në lagjen Gràcia. Deri tani, identiteti i viktimës nuk është bërë i ditur, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar drejt veriut të qytetit.

Hetimet janë ende në zhvillim dhe Mossos d’Esquadra theksojnë se vrasja nuk ka lidhje me vizitën e Papa Leo XIV, duke shtuar se incidenti nuk ka ndikuar në planin e sigurisë së organizuar për vizitën.

Ngjarja është dëshmuar nga disa persona që ndodheshin në zyrën e Policisë Kombëtare në momentin e krimit. “Jam i shokuar, është e tmerrshme”, ka deklaruar një dëshmitar okular.

Ky është rasti i dytë i vrasjes në Barcelonë brenda pak ditësh, pas një incidenti me armë zjarri në Zona Franca të dielën e kaluar, ndërsa një tjetër vrasje është regjistruar më 16 maj në të njëjtën zonë. Autoritetet spanjolle kanë shprehur shqetësim për rritjen e incidenteve me armë zjarri në qytet.

Top Channel