Egnatia po bëhet gati për një tjetër rrugëtim historik në arenën ndërkombëtare dhe këtë herë synimet janë më të larta se kurrë.

Presidenti i klubit rrogozhinas, Agim Demrozi, ka lëshuar një premtim të madh për të gjithë sportdashësit: Egnatia do të kërkojë me çdo kusht kualifikimin në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane në këtë edicion të ri.

Rruga drejt këtij suksesi do të nisë nga turni i parë kualifikues i UEFA Champions League. Megjithatë, për shkak të koeficientit, kampionët e Shqipërisë do të jenë të pozicionuar në vazon e skuadrave jofavorite (unseeded), çka do të thotë se përpara do të kenë një sfidë teorikisht më të vështirë që në start.

Gati lista me 14 rivalët e mundshëm: Tashmë janë zyrtarizuar plotësisht emrat e 14 skuadrave favorite që mund të peshkojë Egnatia në shortin e parë. Mes shumë emrave të fortë nga mbarë Europa, ajo që bie në sy dhe që ka ndezur menjëherë imagjinatën e tifozëve është prania e Dritës së Gjilanit.

Nëse goglat do ta donin, shorti mund të dhuronte një derbi të zjarrtë mbarëshqiptar (Egnatia vs Drita) që në fazën e parë të Championsit.

Ambicie pa limit Deklarata e guximshme e presidentit Demrozi tregon qartë se drejtuesit e klubit nuk mjaftohen më me thjesht “pjesëmarrje dinjitoze”. Investimet e bëra dhe rritja e jashtëzakonshme e Egnatias në vitet e fundit e detyrojnë skuadrën të synojë majat. Misioni mbetet i vështirë, por rrogozhinasit kanë treguar se dinë të thyejnë parashikimet dhe janë gati për netët e mëdha të Europës.

Top Channel