Bleu ketaminën për Matthew Perryn që e çoi drejt vdekjes, asistenti personal i aktorit të “Friends” dënohet me tre vite burg

28/05/2026 14:27

Asistenti personal i aktorit Matthew Perry është dënuar me 3 vjet e 5 muaj burg për rolin e tij në vdekjen nga mbidoza të yllit të serialit “Friends”, ngjarje e ndodhur më 28 tetor 2023 në shtëpinë e aktorit në Los Angeles.

Kenneth Iwamasa, 60 vjeç, u shpall fajtor për blerjen dhe administrimin e ketaminës që, sipas hetuesve, çoi në mbidozën fatale të Perry-t. Dënimi i tij shënon përmbylljen e një procesi gjyqësor që ka zgjatur rreth dy vjet e gjysmë dhe ka përfshirë pesë të pandehur.

Gjatë seancës, gjykatësja theksoi se i pandehuri ishte në dijeni të varësisë së aktorit dhe se sjellja e tij kishte qenë e papërgjegjshme, jo vetëm ditën e vdekjes, por edhe në ditët para saj.

Sipas hetimeve, Iwamasa e njihte Matthew Perry-n që nga viti 1992 dhe kishte nisur të punonte si asistent i tij në vitin 2022, me një pagë vjetore prej rreth 150 mijë dollarësh. Ai ishte gjithashtu personi që e gjeti aktorin të pajetë në vaskën e shtëpisë së tij.

Prokuroria ka deklaruar se ai ka shërbyer si ndihmës për sigurimin dhe administrimin e drogës, duke qenë i vetëdijshëm për rrezikun që paraqiste përdorimi i ketaminës.

Para shpalljes së dënimit, Iwamasa shprehu pendesë, duke i kërkuar falje familjes dhe miqve të aktorit dhe duke pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij.

Në lidhje me çështjen, më herët janë dënuar edhe persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së ketaminës, përfshirë mjekë dhe ndërmjetës, me dënime që variojnë nga arresti shtëpiak deri në burgim disa vjeçar.

Top Channel