Vdes aktori i “Emily in Paris”, Pierre Denis ndërron jetë në moshën 69-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë

27/05/2026 18:08

Aktori francez Pierre Denis, i njohur për rolin e tij në serialin e njohur “Emily in Paris”, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare pas një beteje me sëmundjen e Skleroza Laterale Amiotrofike.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga vajzat e aktorit, të cilat në një deklaratë thanë se ai u nda nga jeta pas një “përparimi të papritur dhe serioz të sëmundjes”.

Pierre Denis u bë i njohur për publikun ndërkombëtar për interpretimin e Louis de Léon, kreut të grupit të modës JVMA, në sezonet e tretë dhe të katërt të serialit “Emily in Paris”. Roli i tij u vlerësua gjerësisht nga fansat e serialit, duke e kthyer atë në një prej figurave më të dashura të kastit francez.

Përtej suksesit në serialin e Netflix, Denis kishte një karrierë të gjatë në televizionin francez. Ai mori pjesë në më shumë se 500 episode të serialit “Demain nous appartient”, duke ndërtuar një profil të njohur në industrinë e televizionit francez.

Pas publikimit të lajmit për ndarjen e tij nga jeta, shumë kolegë dhe miq të aktorit reaguan me mesazhe prekëse. Këngëtarja dhe aktorja Sylvie Vartan e përshkroi atë si “një aktor bujar dhe një person të ndjeshëm e plot humor”, ndërsa aktorja Luce Mouchel ndau kujtime nga vitet e bashkëpunimit të tyre dhe shprehu trishtimin për humbjen e tij.

Vdekja e Pierre Denis ka prekur jo vetëm botën e kinemasë franceze, por edhe fansat e serialit “Emily in Paris”, të cilët kanë reaguar me mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.

Top Channel