“Muzika ishte gjithçka, derisa u bëra baba”/ Rrëfimi prekës i Lambert Jorganxhit në ‘Ftesë në 5’ pas humbjes së të atit: Dirigjon orkestrën e engjëjve në qiell

27/05/2026 18:00

Në një rrëfim të ndjerë në “Ftesë në 5”, me Bieta Sulo, muzikanti Lambert Jorganxhi ka zbuluar një anë shumë personale të jetës së tij, duke treguar se ardhja në jetë e djalit të tij i ka ndryshuar plotësisht mënyrën si e sheh botën.

Artisti pranoi se dikur muzika ishte gjithçka për të, ndërsa sot në qendër të jetës së tij është familja.

Mes emocionesh, Lamberti foli edhe për bashkëshorten, të cilës i drejtohet me përkëdheli “kënga ime më e bukur e jetës”, duke treguar se ajo është një nga mbështetjet dhe frymëzimet më të mëdha në rrugëtimin e tij artistik dhe personal. Ai rrëfeu se pas suksesit në skenë, lumturinë më të madhe e gjen tashmë në momentet e vogla të përditshmërisë si bashkëshort dhe baba.

Por biseda mori një tjetër ngarkesë emocionale kur artisti ndau mallin për të atin, i cili u nda nga jeta katër vite më parë. Sot, teksa po përjeton vetë rolin e babait prej më shumë se një viti, Lamberti tregoi se mungesa e pranisë dhe këshillave të tij ndihet edhe më fort.

“Dirigjon orkestrën e engjëjve në qiell”, u shpreh ai mes emocionesh, në një nga momentet më prekëse të intervistës.

Top Channel