Referendumi për Berishën/ Mbyllet numërimi në dy qytete, pjesëmarrje 26% në Sarandë dhe vetëm 15% në Gjirokastër
Vijon procesi i votëbesimit ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në daljen e radhës për mediat është shfaqur deputeti Ivi Kaso, i cili nuk ka bërë të ditur shifra të votuesve.
Ai ka njoftuar se procesi është shtyrë edhe për një orë në degët e mëdha, ku ende nuk kanë shkuar të votojnë të gjithë anëtarët. Procesi ka nisur në orën 08:00 dhe u njoftua se do të mbyllej në orën 18:00. Megjithatë siç njoftoi Ivi Kaso, ky orar është shtyrë për disa degë të mëdha dhe se votimi do të mbyllet në orën 19:00.
“Jam këtu përpara jush për të ndarë një komunikim në emër të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Sikurse e dini, edhe me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.
Si pasojë e disa kërkesave që kanë ardhur pranë KOKOE-s nga disa degë të mëdha, sikurse është edhe dega 2 që voton këtu në seli, KOKOE ka marrë vendim që për këto degë të mëdha, të cilat, në të cilat ka fluks votimi dhe presin fluks që të vazhdojë edhe mbas orës 18:00, procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të partisë.
Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre. Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00.
Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm”, u shpreh Kaso.
Top Channel