KOKOE ka dhënë detajet e fundit në lidhje me procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ku sot po votohet për kryetarin dhe kandidat i vetëm është Sali Berisha.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Albana Vokshi ka bërë me dije se deri në orën 15:00 kanë votuar 28,379 demokratë. Sipas saj, numri më i ulët i votuesve, krahasuar me zgjedhjet e kaluara justifikohet me pastrimin e listave të anëtarëve.

“Atëherë, kohë pas kohe po jap informacionin e orës 3. Në daljen e fundit ju informuam për pjesëmarrjen midis orës 12 e gjysmë. Nga kontaktet që kemi pasur me të gjitha degët, po ju informoj që pjesëmarrja deri në orën 15:00 në 77 degët e Partisë Demokratike, rezulton që të jetë 28,379 votues.

Pyetje: Duke iu referuar proceseve zgjedhore të shkuara, Partia Demokratike ka pasur më shumë anëtarë. Në 2017-ën, për të marrë referencë para 10 vitesh, ka pasur gati 100 mijë anëtarë. Përse u rrudh?

Albana Vokshi: Mendoj që kjo dalje është vetëm për pjesëmarrjen, për procesin e votimit. Me të mbaruar procesi i votimit neve do t’ju japim të gjitha sqarimet për numrin e votuesve të Partisë Demokratike që kanë të drejtë vote dhe janë ftuar sot. Kjo do të thotë që janë punuar listat, janë pastruar listat.

Një pjesë janë larguar në diasporë, por do t’ju japim të gjitha detajet e nevojshme. Pra, jemi transparentë deri në fund, ju kemi dhënë një numër siç është sot. Nesër mund të rritet ai numër sepse ka anëtarësime të reja, mund të zvogëlohet sepse ikin nga diaspora.

Pra, është ‘ëorking progress’, por sot është ky numri i cili është ftuar për të votuar për referendumin, për të zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike”, tha Vokshi.

Top Channel