Cikloni i nxehtë nga Afrika godet Europën Perëndimore, preket edhe Ballkani/ Temperatura deri në 38 gradë Celsius, paralajmërime për rekorde historike në muajin maj

22/05/2026 19:41

Një pjesë e madhe e Europës Perëndimore po përgatitet për valën e parë të rëndësishme të të nxehtit këtë verë, me temperatura që pritet të jenë mbi 10°C më të larta se mesatarja sezonale dhe me mundësi për rekorde të reja mujore në qindra zona.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në Portugali, Spanjë, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar temperaturat do të kalojnë 30°C gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme, ndërsa do cikloni i nxehtë nga Afrika do të prekë edhe Ballkanin, shkruan Guardian.

Në Paris dhe Londër priten deri në 32°C, në jugperëndim të Francës deri në 35°C, ndërsa në rajonet Guadiana dhe Guadalquivir në Spanjë deri në 38°C.

Shërbimi meteorologjik francez Météo-France paralajmëroi se mund të thyhen rekorde historike për temperaturat e muajit maj në Francë.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit po shkaktohet nga një fenomen i quajtur “heat dome” (kupolë nxehtësie), ku ajri i nxehtë nga Afrika e Veriut mbetet i bllokuar nën një sistem të fortë presioni atmosferik.

Në veçanti, rajone si Bretanja në Francë pritet të përjetojnë temperatura shumë më të larta se normalja për këtë periudhë të vitit.

Meteorologët francezë theksojnë se ndryshimet klimatike po bëjnë që ngjarje të tilla ekstreme të ndodhin më shpesh, më herët dhe me intensitet më të madh.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi Meteorologjik Met Office ka lëshuar alarme për rrezik shëndetësor nga i nxehti ekstrem gjatë fundjavës.

Temperaturat mund të arrijnë deri në 33°C në disa zona, duke iu afruar rekordit historik të muajit maj prej 32.8°C të regjistruar në vitin 1944.

Disa zona mund të përjetojnë edhe valë zyrtare të të nxehtit, nëse temperaturat mbeten mbi 26–28°C për disa ditë rresht.

Në Spanjë, ku temperaturat kanë arritur tashmë deri në 38°C, autoritetet raportuan edhe një ngjarje tragjike: një vajzë dyvjeçare humbi jetën në rajonin Galicia pasi u la aksidentalisht për disa orë në një makinë.

Shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET paralajmëroi se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, me temperatura tipike të muajve korrik dhe gusht.

“Është një nxehtësi tipike vere e plotë,” deklaroi zëdhënësi Rubén del Campo, duke shtuar se temperaturat janë 5°C deri në 10°C mbi mesataren sezonale në shumë rajone të Spanjës.

Ekspertët paralajmërojnë se Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, pritet të përballet gjithnjë e më shpesh me episode të tilla ekstreme të të nxehtit në vitet në vijim.

Top Channel