Foto/ Tragjedia në Maldive, pamjet brenda “Shpellës së Peshkaqenëve” zbulojnë terrin ku humbën jetën pesë zhytësit italianë
Zyrtarë të administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump, kanë tentuar vitin e kaluar të ndalonin përdorimin e makinerive të votimit të kompanisë Dominion Voting Systems në më shumë se gjysmën e shteteve amerikane, duke kërkuar që komponentët e tyre të shpalleshin rrezik për sigurinë kombëtare.
Reuters shkruan se iniciativa u shty nga këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Kurt Olsen, i cili ishte ngarkuar nga Trump për të hetuar pretendimet për manipulim zgjedhor, pretendime që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga gjykatat dhe hetimet zyrtare.
Plani synonte krijimin e një sistemi kombëtar me fletëvotime të numëruara me dorë dhe eliminimin e makinave të votimit Dominion përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Diskutimet përfshinë edhe zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe Departamentit amerikan të Tregtisë.
Burimet thanë se zyrtarët shqyrtuan mundësinë që çipat dhe softuerët e përdorur nga Dominion të konsideroheshin kërcënim i huaj për sigurinë kombëtare, duke përdorur rregullat federale të zinxhirit të furnizimit teknologjik. Megjithatë, përpjekja dështoi pasi ekipi i Olsen nuk arriti të paraqiste prova që makinat ishin manipuluar ose përbënin rrezik sigurie.
Administrata Trump ka vazhduar të ngrejë pretendime për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2020 përmes makinerive të votimit Dominion, megjithëse hetime të shumta dhe procese gjyqësore nuk kanë gjetur prova për hakerim apo ndërhyrje të huaj.
Në vitin 2023, Fox News pranoi të paguante 787 milionë dollarë ndaj Dominion për të zgjidhur një padi për shpifje lidhur me pretendimet e rreme për manipulim zgjedhor.
Reuters raportoi gjithashtu se ekipi i Olsen analizoi makina votimi të përdorura në Puerto Rico, duke kërkuar prova për komponentë apo kode të lidhura me Venezuelën ose vende të konsideruara kundërshtare të SHBA-së.
Top Channel