Helmimi i 56 studentëve të Policisë, reagon administratori i Akademisë: Shqetësimi nisi pasi konsumuan drekën, ushqimi vjen i gatshëm

07/05/2026 13:34

Administratori i Akademisë së Policisë, Milton Nushi, ka reaguar në një intervistë për mediat rreth helmimit të 56 studentëve.

“Kanë pasur shqetësime studentët, pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT dhe janë kthyer të gjithë shëndoshë e mirë, e tani janë kthyer këtu. Dyshimi është që ka ndodhur pas këtij ushqimi. Kanë një menu ditore për çdo vakt. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për llojshmërinë, por ushqimi është jashtëzakonisht i mirë. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj problem helmimi deri më sot që flasim.

Kemi njoftuar AKU dhe Shëndetin Publik që kanë marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu. Ne këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun, mbajmë mostrat të ruajtura 24 orë, për raste kur ndodhin këto incidente. Rasti i parë është ky, më duket në 2016 ka qenë një rast.

Kjo kontratë me kompaninë është e re, por kemi pasur edhe të mëparshme. Po presim të dalin aktet e analizës, kemi thirrur Shëndetin Publik që kanë ardhur përsëri për të marrë analizat e studentëve për të parë si është ecuria e tyre, ka qenë formë e lehtë.  Puna vazhdon normalisht, shkolla dhe furnizimi i vakteve. Gjendja e tyre është shumë e mirë tani. Ushqimi gatuhet në një vend tjetër, jo në akademinë e sigurisë, atje ku ka licencimin kompania. Tre vakte përditshme, mëngjes drekë dhe darkë”, tha ai.

Top Channel