1 në 5 persona të rrezikuar nga varfëria, Komisioni Europian prezanton strategjinë e re
Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit po hyn në një fazë vendimtare, ndërsa Uashingtoni po shtyn për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, duke ruajtur njëkohësisht presionin ushtarak dhe ekonomik në rajonin e Gjirit Persik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaron se “lufta do të përfundojë shpejt”, ndërsa mediat amerikane raportojnë për një draft-marrëveshje me 14 pika që synon t’i japë fund krizës.
Sipas raportimeve të Axios, Shtëpia e Bardhë beson se është pranë një marrëveshjeje me Iranin përmes një memorandumi njëfaqësh, i cili mund të shërbejë si bazë për negociata më të gjera mbi programin bërthamor iranian. Drafti parashikon ngrirjen e pasurimit të uraniumit nga Irani, heqjen e sanksioneve amerikane, rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe uljen graduale të tensioneve ushtarake në rajon.
.@POTUS: "Iran cannot have a nuclear weapon, and they won't — and, they've agreed to that, among other things." pic.twitter.com/Z8ynfQpS7Y
— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) May 6, 2026
Nga ana tjetër, Teherani mbetet i kujdesshëm ndaj propozimit amerikan. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, deklaroi se oferta amerikane po shqyrtohet ende dhe se qëndrimet e Iranit do t’u përcillen ndërmjetësve pakistanezë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Pakistanit tha se vendi i tij po punon për ta kthyer armëpushimin aktual në një fund të përhershëm të luftës.
Trump është shfaqur optimist për ecurinë e bisedimeve. Gjatë një telekonference në mbështetje të kandidatit republikan për guvernator të Xhorxhias, Bert Jones, ai deklaroi se SHBA-ja po vepron për një arsye të vetme: “Nuk mund t’i lejojmë ata të pajisen me armë bërthamore”. Ai shtoi se beson që konflikti do të marrë fund së shpejti.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu se Irani “dëshiron me dëshpërim të bëjë një marrëveshje” dhe pretendoi se kapacitetet ushtarake të Teheranit janë shkatërruar. Sipas tij, marina iraniane është eliminuar pothuajse plotësisht dhe vendi do të ketë nevojë për dekada për ta rindërtuar.
Në të njëjtën kohë, Trump paralajmëroi përmes Truth Social se nëse Teherani nuk pranon marrëveshjen, “bombardimet do të fillojnë përsëri dhe do të jenë shumë më intensive se më parë”.
Operation Trust Me Bro failed. Now back to routine with Operation Fauxios.
— محمدباقر قالیباف | MB Ghalibaf (@mb_ghalibaf) May 6, 2026
Tregjet ndërkombëtare reaguan pozitivisht ndaj sinjaleve për negociata. Wall Street mbylli seancën në rritje, ndërsa në bursat aziatike u regjistruan fitime të ndjeshme. Çmimi i naftës Brent ra me afro 8%, duke zbritur në 101.27 dollarë për fuçi, larg nivelit prej 126 dollarësh të arritur disa ditë më parë.
Trump njoftoi gjithashtu pezullimin e përkohshëm të operacionit amerikan “Projekti Liri”, që synonte rivendosjen e lundrimit në Gjirin Persik dhe shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, ai theksoi se bllokada ndaj porteve iraniane mbetet në fuqi.
Ky vendim u prit me ironi nga kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili deklaroi se “Operacioni ‘Më beso vëlla’ dështoi” dhe se tani duhet rikthyer “te punët e zakonshme”.
Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane la të kuptohej se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet nëse marrin fund “kërcënimet e agresorëve”.
Kriza në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të mbetet një shqetësim global, pasi që prej fundit të shkurtit Irani ka vendosur praktikisht një bllokadë në këtë korridor detar strategjik, përmes të cilit kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror në botë.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë ndaluar dhjetëra anije që lundronin drejt porteve iraniane, ndërsa CENTCOM raportoi sekuestrimin e një cisterne iraniane në Gjirin e Omanit.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u zhvilluan konsultime të mbyllura pas sulmeve iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe më 4 maj. Sipas Abu Dhabit, Irani lëshoi 12 raketa balistike, tre raketa lundrimi dhe katër dronë, duke shkaktuar zjarr në zonën industriale Fujairah dhe plagosjen e tre civilëve.
Delegacioni iranian në OKB deklaroi se “zgjidhja e vetme e qëndrueshme është një fund i përhershëm i luftës, heqja e bllokadës detare dhe rivendosja e kalimit normal”.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ekziston “koordinim i plotë” me Trumpin lidhur me Iranin. Sipas tij, objektivi kryesor mbetet eliminimi i materialit të pasuruar dhe çmontimi i kapaciteteve iraniane të pasurimit të uraniumit. Deklaratat e Netanyahut erdhën pas një tjetër bombardimi izraelit në Bejrut, ku, sipas Izraelit, u vra një zyrtar i lartë i Hezbollahut.
Top Channel