Tubim pro-Iran në Teheran/ Protestuesit sfidojnë Trump: Nuk guxon të sulmojë më
Një histori që duket si skenar filmi ka tronditur botën e automobilave, pasi nëntë supermakina me vlerë miliona euro janë zhdukur nga garazhi privat i ish-pilotit të Formula 1, Adrian Sutil, ndërsa në qendër të hetimeve janë vendosur mercenarët e grupit rus Wagner.
Sipas mediave gjermane, gjithçka nisi në dhjetor 2025, kur në zyrën e prokurorisë së Stuttgartit u depozitua një kallëzim për zhdukjen e makinave luksoze nga rezidenca e Sutil në Monako. Avokati i ish-pilotit, Dirk Schmitz, deklaroi se familja mori fillimisht një telefonatë kërcënuese nga një person që prezantohej si “Vladimir” dhe pretendonte se ishte pjesë e organizatës Wagner. Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë, makinat do të merreshin “me ose pa pëlqimin” e tyre. Vetëm pak ditë më vonë, disa persona të armatosur u shfaqën në garazh dhe, sipas avokatit, familja Sutil u përball me kërcënime serioze fizike. Automjetet u ngarkuan dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.
Në janar 2026, Sutil iu drejtua policisë së Monakos duke pretenduar se ai dhe familja e tij ishin nën kërcënim të vazhdueshëm për jetën nga anëtarë të Wagnerit.
Mes makinave të vjedhura ndodhej edhe një Koenigsegg Agera One:1, një nga vetëm shtatë ekzemplarët e prodhuar ndonjëherë në botë, me vlerë që llogaritet mes 10 dhe 22 milionë dollarëve. Automjeti kishte një karroceri transparente prej fibre karboni dhe vija rozë karakteristike, detaje që e bëjnë pothuajse të pamundur shitjen apo fshehjen e tij në tregun ndërkombëtar. Nga garazhi i Sutil u zhdukën gjithashtu një Koenigsegg Regera, një Rolls-Royce Phantom, një Ferrari California, disa modele Lamborghini dhe Porsche, si edhe një Mercedes-Benz 600 që më parë i kishte përkitur Elvis Presley.
Vlera totale e koleksionit të zhdukur llogaritet rreth 17 milionë euro, megjithëse ekspertët besojnë se në tregun aktual shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe problemet ligjore të vetë Sutil. Ish-piloti kishte qenë më parë nën hetim për mashtrim dhe përvetësim në lidhje me financimin e automjeteve luksoze, ndërsa autoritetet gjermane kishin sekuestruar rreth 20 makina të tjera të tij në Gjermani, Zvicër dhe Monako.
Sipas një piste hetimore, Sutil dyshohet se kishte kërkuar “mbrojtje” nga Wagner për makinat që nuk ishin sekuestruar, por më pas nuk kishte përmbushur detyrimet financiare ndaj mercenarëve. Reagimi, sipas hetuesve, ishte i pamëshirshëm.
Ndërkohë, Interpol ka marrë në dorë koordinimin ndërkombëtar të hetimeve, ndërsa autoritetet gjermane kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj Sutil.
Dyshohet se automjetet janë zhvendosur drejt vendeve të Evropës Lindore ose Rusisë. Deri tani është gjetur vetëm një nga nëntë makinat e zhdukura.
Ekspertët e automobilave e konsiderojnë çështjen paradoksale, pasi makina si Koenigsegg Agera One:1 është aq e rrallë dhe e njohur, sa praktikisht nuk mund të shfaqet apo të shitet pa u identifikuar menjëherë. Për këtë arsye, besohet se hipermakina mbahet e fshehur si “trofe” ose përdoret si mjet presioni për negociata të ardhshme.
Top Channel