Ftesë në 5/ Rrëfimi emocionues i Spartak Ngjelës për vëllanë e ndjerë: Ishte i alkoolizuar, u sëmur me kancer Vitin e kaluar paralajmëroi tërheqjen nga pedana, por pasioni dhe forma e shkëlqyer fizike e kanë rikthyer sërish në majë, pohim që Briken Calja e dha gjatë intervistës me gazetarin e Top Channel, Endi Tufa.
Në moshën 35-vjeçare, Briken Calja vërtetoi se mbetet një nga emrat më të mëdhenj të peshëngritjes shqiptare.
Në Kampionatin e fundit Europian të zhvilluar në Batumi të Gjeorgjisë, ai u shpall kampion Europe në një stil dhe nënkampion në dygarësh.
Një rikthim fantastik te medaljet që ka ndryshuar plotësisht planet e tij për të ardhmen, duke lënë pas mendimet për “pensionim”.
“Normalisht që vitet janë vetëm numra, medaljet janë më të rëndësishme. Ky ishte një premtim që ia kisha bërë vetes”, tha ai.
Por suksesi personal në Batumi u shoqërua edhe me një shije të hidhur për ekipin kombëtar. Gara u shënjua nga një vendim tejet i kontestuar i jurisë ndaj Erkand Qerimajt, të cilit nuk iu njoh një provë e rregullt duke e lënë pa rezultat.
Një episod i rëndë për të cilin Calja nuk ngurron të dalë në mbrojtje të kolegut të tij.
“Është një humbje medalje për Shqipërinë, më vjen keq se është sportist, ka një karrierë të gjatë. Ai është një sportist i mirëfilltë, një nga më të mirët që ka Shqipëria. Për mua ishte një nxirim i gjyqtarisë, realisht është për të ardhur keq. Ai ka bërë shumë sakrificë”, tha Calja.
Me Europianin e Batumit tashmë në arkivë, kalendari i 35-vjeçarit mbetet tejet i ngjeshur. Përgatitjet nuk ndalen, pasi objektivi i radhës janë Lojërat Mesdhetare të muajit gusht.
Megjithatë, vëmendja kryesore është përqendruar te Kampionati Botëror i këtij viti, një stacion jetik për të grumbulluar pikët e nevojshme kualifikuese. Synimi është i qartë: Lojërat Olimpike të 2028-s.
“Kanë ndryshuar planet për shkak se ka filluar kualifikimi olimpik, ka shumë gjëra që i kam lënë pas dhe do të doja me patjetër t’i kisha në CV e karrierën time të gjatë”, u shpreh ai.
Top Channel