Ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, ka bërë një analizë interesante mbi ndryshimet mes futbollit modern dhe atij italian, duke marrë si shembull spektaklin mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, i mbyllur me rezultatin e çmendur 5-4.

Në një intervistë për “Radio TuttoNapoli”, De Biasi theksoi se gjithçka lidhet me mentalitetin: “Nëse je kursimtar, luan për të shënuar një gol dhe për të mos pësuar. Por nëse ke një tjetër qasje dhe investon në lojë sulmuese, edhe duke marrë rreziqe, krijon emocione që e bëjnë futbollin të bukur. Janë dy skuadra që kërkojnë gjithmonë ndërtimin dhe finalizimin, duke menduar më pak për mbrojtjen”.

Duke kaluar te realiteti i Serie A, ai nuk i kurseu kritikat: “Është pjesë e mentalitetit tonë, ka ende trajnerë që kënaqen me një fitore 1-0. Por futbolli ka evoluar dhe nuk mund të qëndrojmë te modeli i 30 viteve më parë”. Sipas tij, edhe epoka e Arrigo Sacchi-t solli një futboll të bukur për kohën, por loja sot ka bërë hapa të mëdhenj përpara.

De Biasi komentoi edhe sfidën Como–Napoli, duke theksuar se gjithçka do të varet nga filozofia e trajnerit Cesc Fàbregas, i cili kërkon cilësi dhe lojë të hapur. Në fund, ai u ndal edhe te e ardhmja e Antonio Contes, duke sugjeruar vazhdimësinë te Napoli si zgjedhjen më logjike: “Do të ishte më mirë të vazhdonte aty ku ka ndërtuar një grup që e njeh mirë”.

Top Channel