Kapet duke transportuar mbi 1000 fara kanabisi me qëllim shitjen, arrestohet 55-vjeçari në Durrës

23/04/2026 11:12

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 55-vjeçar, i cili u kap duke transportuar mbi 1000 fara kanabisi.

Në kuadër të operacionit ‘Parandalimi’, u sekuestruan farat dhe automjeti i shtetasit me iniciale A.Sh., banues në Tiranë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte një sasi farash Cannabisi, me qëllim shitjen në qytetin e Durrësit, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, u finalizua operacioni i koduar “Parandalimi”.

Gjatë operacionit, në hyrje të qytetit të Durrësit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues autorin e dyshuar, shtetasin A. Sh. Gjatë kontrollit në automjet, gjetën 2 qese me fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa (në total 1045 fara), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi A. Sh., 55 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel