Vijon seanca në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, ku vazhdojnë pyetjet ndaj ish-zv.drejtorit të Policisë Elbasan, Krenar Guçe.
Avokatja Elda Zotaj e pyeti Guçen nëse kishte dhënë informacion për Erjon Alibej apo persona të tjerë të përfshirë në dosje. Ai i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje apo komunikim me persona të tillë dhe se ka vepruar gjithmonë si “oficer policie i ndershëm”.
Ai u pyet nga avokati Përparim Kulluri se sa herë është loguar në TIMS, ku u përgjigj duke thënë “shumë herë”.
Diskutime në gjyq:
Elda Zotaj: A i keni dhënë informacion Erjon Alibej apo të tjerëve?
Guçe: Hedh poshtë çdo pyetje aluduese. Jam një oficer policie i ndershëm. Nuk kam pasur kurrë të bëj me insinuata. Për kohën që pyesni unë kam qenë me regjim shtrati dhe kur këta pyesin a i kam dhënë kujt informacion, i hedh poshtë këto pyetje.
Elda Zotaj: Ju keni pranuar se e keni pyetur Alibej, a i keni treguar ju ndonjë informacion për ngjarje kriminale në Elbasan?
Guçe: I jam përgjigjur juve me ndershmëri.
Avokati Përparim Kulluri: I thatë koleges që keni këqyrur në TIMS dhe prej aty keni njohur Hajdar Bakon. Sa herë keni loguar në TIMS?
Guçe: Shumë herë.
Gentian Rumano, avokat i Henrik Hoxhës: E keni njohur Henrik Hoxhën?
Guçe: Asnjëherë.
Gentian Rumano: Keni komunikuar në telefon me të?
Guçe: Asnjëherë.
Gentian Rumano: I keni dhënë ndonjëherë Henrik Hoxhës të dhëna për Kastëriot Kilën?
Guçe: Asnjëherë.
Avokati Qani Hasa: Ju thatë që veprimet hetimore çuan në zbardhjen e vrasjes së Bujar Çelës. A u vutë në dijeni për autorë të tjerë?
Guçe: Normalisht u vumë në dijeni, se e tregonin kamerat. Por të identifikuar me prova shkencore si Nuredin Dumani nuk kishim.
Avokati Qani Hasa: Prokuroria ka kryer veprime të tjera në atë kohë?
Guçe: I keni në dosje, s’më kujtohet.
Xhuliani Hoxha (i pandehur): Tek vrasja e Bujar Çelës a rezulton në pamjet filmike që të jem unë?
Guçe: Çfarë rezultonte e kam hedhur në referim.
Top Channel