Inside Story/ Katër dekada mbi traktor, fermeri i ‘bukës’: 60 hektarë me grurë i përmbyti Erzeni, asnjë kompensim…
Ndërsa fruta-perimet e importit vijnë nga Greqia, Italia apo Egjipti, produktet tona kryesisht nuk i kalojnë caqet e Ballkanit.
Volumin më të madh tregtar sa i përket eksportit e kemi me Serbinë.
“Në thelb pyetja është sa të përgatitur jemi ne për të konkuruar në treg të Bashkimit Europian, kur ne në këto kushte nuk jemi zot të konkurojmë me Kosovën, Maqedoninë apo me Serbinë”, u shpreh Gjok Vuksani, ekspert bujqësie.
Ndoshta, pikërisht në këtë marrëdhënie tregtare duhen kërkuar edhe shkaqet e një përplasjeje nën zë që nisi mes dy vendeve së fundi.
Serbia nisi të bllokonte një seri ngarkesash me produkte shqiptare në mënyrë të pajustifikuar. Kjo ishte hakmarrje e pastër ndaj një mase që mori Shqipëria për sigurinë ushqimore. Duke nisur që nga nëntori 2025, vendi ynë nisi kontrolle të rrepta ndaj çdo ngarkese me drithëra që vinte nga Serbia. Në tre raste, ngarkesat që ishin drithëra për kafshët u kthyen prapa, pasi rezultuan me aflatoksinë.
Sipas ligjit shqiptar, kur subjektet kanë rezultuar më parë me ngarkesa ndotësish, atëherë ato futen në “listën e riskut” dhe në pikat e kalimit doganor, ato nënshtrohen analizave para se të hidhen në treg. Ndaj, çdo ngarkesë që vinte nga Serbia ishte shënuar me “flamur të kuq” dhe i nënshtrohej analizave.
“Ne nuk jemi konkurrues me këtë mbështetje që i japim sektorit të bujqësisë, ne nuk jemi në kushtet e rajonit për të mos folur për kushtet e Bashkimit Europian”, u shpreh Agim Rrapaj, kreu i shoqatës së Agro-Biznesit.
Përveç politikave anemike, fermerët shqiptarë si pasojë e përmbytjeve kanë pësuar dëmin më të madh jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
Shirat e dendur të janarit 2026 zhytën nën ujë rreth 3500 ha tokë me të mbjella, mes të cilave edhe rreth 40% e serave në të gjithë vendin.
Pa e marrë veten nga përmbytja, kriza që ka prekur ekonominë globale për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme e ka vendosur fermerin në një pozitë edhe më të vështirë. Plehrat kimikë kanë pësuar një rritje me thuajse 40%. DAP-i dhe ureja, dy elementët kryesorë të bujqësisë që prodhohen nga gazi i lëngshëm, janë prekur nga shtrenjtimi i naftës duke pësuar një rritje me 70% krahasuar me një vit më parë.
Sipas ekspertëve, 50% e kostos së prodhimit janë inputet bujqësore. Nga ana tjetër edhe çmimi i naftës ka pësuar rritje të ndjeshme, ndërkohë që punimet e mekanizuara, pra që kanë si lëndë të parë karburantet, zënë rreth 28% të kostos së prodhimit.
Të gjithë këta faktorë kanë bërë që sektori i bujqësisë të notojë në informalitet e për pasojë tek fermeri nuk shkon dot edhe ai rimbursim anemik.
“Qarkullimi i produkteve bujqësore në tregun e brendshëm që blihen nga fermeri është 70% deri në 80% informal. Kjo shifër është e pranuar nga qeveria. Në nivelin e informalitetit në ekonomi e kemi 30%, në bujqësi është mbi dyfish”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.
Skema e re e miratuar këtë vit ka rikthyer rimbursimin e TVSH-së me 10% për të gjithë prodhimin e shitur me faturë të rregullt.
Ajo ishte hequr para 5 vitesh pasi u konstatua se përfituan shuma të majme që shkuan deri në 1 mln euro vetëm një grusht grumbulluesish dhe jo vetë fermerët prodhues. Por, me rikthimin e skemës, sërish ekspertët nuk janë optimistë. Në praktikë, përjashtohen një pjesë e fermerëve. Sipas ligjit përfitojnë vetëm ata fermerë që auto-faturohen nga subjektet tregtare që janë subjekte të TVSH-së, ndërsa fermerët që shesin te biznese të vogla pa TVSH nuk përfitojnë. Kjo krijon pabarazi.
“Kemi dy prodhues qumështi. Një e shet te këto firmat e mëdha që janë në Shqipëri, që janë subjekte të TVSH-së, autofaturimi. Do faturojnë dhe ai do paraqesë faturën, do marrë 10% të vlerës së faturës. Kurse një tjetër e shet te një baxho e vogël që është subjekt i biznesit të vogël, nuk është subjekt i TVSH-së. Edhe ai i jep autofaturë, por ai nuk e përfiton, sepse subjekti që i ka blerë qumështin nuk është subjekt i TVSH-së. Është paradoks i madh”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.
Një tjetër paradoks është se edhe disa ferma të mëdha që janë vetë të regjistruara me TVSH dhe lëshojnë faturë nuk marrin kompensim. Ndërkohë, fermerët e vegjël që nuk lëshojnë faturë vetë, por autofaturohen nga blerësi, përfitojnë, çka konsiderohet një lloj diskriminimi në sistem.
“Tjetra më e rëndësishmja, ne kemi dy tre ferma të mëdha në Lushnjë që janë vetë subjekte të TVSH-së dhe lëshojnë faturë. Në rast se fabrika shkon merr qumësht atje, ai të jep faturë me TVSH, kaq litra herë këtë çmim, 20% TVSH, ata nuk përfitojnë”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.
Problemi më i madh që ndikohet edhe nga paradokset e sistemit është informaliteti. Rreth 70–80% e tregut bujqësor funksionon pa fatura, kryesisht sepse mekanizmi i TVSH-së është i pafavorshëm.
Shkak për këtë është një “gafë” në vjeljen e TVSH-së. Grumbulluesit detyrohen të punojnë “në të zezë” për të mbijetuar, pasi shteti u kërkon të paguajnë 20% TVSH mbi të gjithë vlerën e shitjes dhe jo mbi fitimin, ndërsa ata e blejnë produktin nga fermeri pa TVSH. Si pasojë, ata shmangin faturat.
“I ka detyruar shteti që të punojë në të zezë. Nuk është faji i tyre sepse që të fitojë 100 lekë ky tregtari për shembull duhet ta blejë 500, ta shesë 800. Për shkak të gafës në mekanizmin e vjeljes së TVSH-së. Në rast se një tregtar që furnizon Tiranën me perime nga Lushnja është subjekt i TVSH-së sepse kalon 100 milionë faturime në vit, ai duhet ta blejë domaten 500 lekë te fermeri dhe do e shesë 600 lekë në dyqanet e Tiranës. Ky me mekanizmin që është në fuqi paguan 120 lekë TVSH, pra 20% e 600 lekëshit. Në fakt emri i ligjit është tatim mbi vlerën e shtuar. Vlera e shtuar është 600 minus 500, është 100 lekë dhe duhet të paguante 20 lekë. Ai sot në rast se blen në rrugë legale me faturë elektronike paguan 120 lekë, pra fitimin dhe të fusë edhe 20 lekë nga xhepi. Po gjen tregtar që ta bëjë këtë”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.
Si pasojë e gjithë këtij sistemi, ekspertët thonë se shumë fermerë mbeten jashtë skemës së kompensimit. Kjo sjell rritjen e çmimit dhe produktet vendase humbasin konkurrueshmërinë. Ekspertët gjykojnë se një tjetër paradoks janë edhe taksat e larta që shkojnë deri në 30%, të cilat i ngarkohen konsumatorit në çmimin final. Kjo situatë pengon kompensimin e fermerëve dhe e vendos produktin vendas në pabarazi totale.
“Në rast se ju blini sot 1 kg domate 4.000 lekë me kupon fiskal në një market apo ndonjë tezgë të Tiranës, shteti merr mbi 1000 lekë. Shteti indirekt merr 30% e çmimit, shkon në arkën e shtetit dhe është shkaku kryesor i rritjes së çmimeve”, u shpreh Eduart Sharka, ekspert i bujqësisë.
Pikat e grumbullimit që duhet të lidhin prodhimin me tregun funksionojnë shpesh pa kontrata dhe pa transparencë. Çmimet vendosen në mënyrë të njëanshme dhe fermerët përballen me zgjedhjen ose të shesin nën kosto ose të hedhin prodhimin.
“Në pikat e grumbullimit që quhet Shqipëria ka gjithsej 240 pika grumbullimi. Realisht, realisht ne kemi vërejtje për arsye se pikat e grumbullimit nuk funksionojnë ashtu siç duhet, nuk lidhin aktmarrëveshjen me fermerin që duhet të lidhet për dorëzimin e prodhimeve”, u shpreh Hazis Sava, agronom.
Në këtë realitet, skemat e reja mbështetëse rezultojnë të kufizuara dhe përjashtuese. Edhe nga skema e rimbursimit me 10%, përfitojnë më pak se gjysma e fermerëve, kryesisht ata që shesin tek eksportuesit. Fondi i planifikuar në dispozicion për rimbursimin e TVSH-së është 15 mln euro, por ekspertët thonë se kjo vlerë është shumë më e ulët se vlera reale, pasi është llogaritur gabim.
Top Channel