Sherr në Vlorë, rreth 10 të rinj përplasen me njëri-tjetrin, dy të plagosur Stoku i dosjeve dhe moszbardhja e vendimeve brenda afatit ka prekur jo vetëm çështjet e ndryshme në gjyqësor, por edhe procesin e vettingut.
Me këtë argument, një gjyqtar i shkarkuar që po priste zbardhjen e vendimit i është drejtuar Kushtetueses, pasi sipas ish-gjyqtarit Avni Sejdi ende nuk i është zbardhur vendimi. Çështja e tij nuk kaloi në seancë plenare.
Në krye të 8 viteve, vettingu përfundoi dhe nuk ka më seanca verifikimi të trefishtë të drejtësisë. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar po presin ende zbardhjen e vendimeve të shkarkimit për t’iu drejtuar Strasburgut. Me këtë padi, që TCH e disponon, ish-gjyqtari Avni Sejdi ka tentuar ta kthejë vonesën e vettingut në një kazus kushtetues në Shqipëri. Ish-gjyqtari i thotë Gjykatës Kushtetuese se Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ishte në nivelin e duhur, duke e tejzgjatur arsyetimin e vendimmarrjes përtej afatit të 60 ditëve.
Ish-gjyqtari ka pritur më shumë se tetë muaj dhe, i bindur se ngarkesa e gjyqtarëve të vettingut nuk justifikon vonesën, iu drejtua padisë: “Në këto kushte, duke konstatuar këtë veprimtari të paligjshme të KPA-së, në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, që ka të bëjë me procesin e parregullt ligjor, duke më mohuar të drejtën e ankimit si subjekt i rivlerësimit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sipas parashikimeve të pikës 8, neni F i Aneksit të Kushtetutës, po i drejtohem kësaj Gjykate me këtë kërkesë me objektin e sipërcituar.” Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ta kalojë në seancë plenare ankesën e ish-gjyqtarit.
Në Gjykatën Kushtetuese, dhjetëra qytetarë janë ankuar për zvarritje dhe kanë fituar të drejtën për gjykim brenda kohës.
Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese që u japin të drejtë qytetarëve që janë zvarritur, përmendet situata e krijuar nga zbrazja e drejtësisë për shkak të vettingut. Ndërkohë, siç shprehen burime të TCH pranë qeverisë së gjyqësorit, stoku i dosjeve në të gjitha shkallët ka arritur në 160 mijë dhe aktualisht KLGJ ka propozuar disa ndërhyrje në ligj për evadimin e dosjeve.
Për moszbardhjen e vendimeve brenda afateve edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer disa kontrolle, por në asnjërën prej tyre nuk janë përfshirë organet e vettingut për të vlerësuar se përse shumë vendime nuk janë zbardhur.
Top Channel