Video/ Momenti kur marinsat amerikanë godasin anijen iraniane të bllokuar, Irani paralajmëron për “hakmarrje të shpejtë”

20/04/2026 07:20

Ushtria amerikane ka publikuar një video të operacionit për kapjen dhe sekuestrimin e anijes me flamur iranian TOUSKA, e cila dyshohet se tentoi të shkelte bllokadën detare të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, marinsat amerikanë zbarkuan me helikopter nga anija sulmuese amfibe USS Tripoli dhe ndërmorën operacionin për të hipur në anijen M/V Touska në Detin Arabik. Ndërhyrja erdhi pasi shkatërruesi USS Spruance çaktivizoi sistemin shtytës të anijes, duke e detyruar të ndalonte.

Autoritetet amerikane bëjnë me dije se anijes iu dhanë paralajmërime të përsëritura për rreth gjashtë orë, por ekuipazhi nuk iu bind urdhrave. Si pasojë, u kërkua evakuimi i dhomës së motorëve dhe më pas u përdor zjarr shtypës për të neutralizuar lëvizjen e saj.

Në videon e publikuar dëgjohen paralajmërimet nga anija amerikane: “Evakuoni dhomën e motorëve, po përgatitemi të përdorim zjarr shtypës”, ndërsa më pas regjistrohen edhe të shtënat që çuan në ndalimin e mjetit lundrues në Gjirin e Omanit.

Sipas deklaratës zyrtare, anija po lundronte me shpejtësi 17 nyje drejt Bandar Abbas në Iran, kur u ndalua nga forcat amerikane. Pas neutralizimit të saj, marinsat e Njësisë së 31-të Ekspedicionare Detare hipën në bord dhe morën kontrollin, ndërsa anija mbetet nën mbikëqyrjen e SHBA-së.

Në një reagim publik, Donald Trump deklaroi se anija, rreth 274 metra e gjatë, refuzoi të zbatojë urdhrat, duke detyruar ndërhyrjen ushtarake. Ai theksoi se forcat amerikane dëmtuan dhomën e motorit për të ndalur lëvizjen e saj dhe se aktualisht po verifikohet ngarkesa në bord.

Nga ana tjetër, Irani e ka dënuar ashpër operacionin, duke e cilësuar si “grabitje detare të armatosur” dhe shkelje të një armëpushimi dyjavor mes dy vendeve. Autoritetet iraniane paralajmëruan për “hakmarrje të shpejtë”, ndërsa raportuan se forcat e tyre kanë ndërmarrë sulme me dronë ndaj anijeve ushtarake amerikane pas incidentit.

Ngjarja shënon një përshkallëzim të ri të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit në rajonin e Gjirit.

Top Channel