Video/ Sërish sulm ajror amerikan në Karaibe, tre të vrarë në një anije të dyshuar për trafik droge

20/04/2026 07:31

Tre persona u vranë të dielën në një sulm ajror amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, bëri të ditur ushtria amerikane, duke çuar në të paktën 180 numrin e viktimave në kuadër të kësaj fushate në Paqësorin lindor dhe Detin e Karaibeve.

Operacionet ushtarake kanë nisur që nga shtatori i vitit 2025 dhe, sipas autoriteteve amerikane, janë pjesë e një “lufte” kundër karteleve të drogës që veprojnë nga Amerika Latine drejt tregut të SHBA-së. Disa nga këto grupe janë cilësuar si organizata “terroriste”, ndërsa shpesh përdoret termi “narko-terroristë” për anëtarët e tyre.

Sipas Komandës së Përbashkët të SHBA-së për rajonin e Amerikës Latine (SOUTHCOM), sulmi i fundit ishte “vdekjeprurës” dhe kishte në shënjestër një anije që dyshohej se ishte e përfshirë në aktivitete të trafikimit të drogës. Autoritetet amerikane deklaruan se shërbimet e inteligjencës kishin konfirmuar se mjeti lundrues po lëvizte në rrugë të njohura të trafikut të drogës në Karaibe.

“Tre narko-terroristë meshkuj u vranë gjatë këtij operacioni”, thuhet në deklaratë, e shoqëruar edhe me një video të deklasifikuar që tregon momentin e shkatërrimit të anijes.

Megjithatë, administrata e Donald Trump nuk ka paraqitur prova bindëse që anijet e goditura ishin realisht të përfshira në aktivitete të paligjshme. Ligjshmëria e këtyre sulmeve, të kryera në ujëra ndërkombëtare apo territoriale të huaja, është vënë në pikëpyetje nga ekspertë dhe zyrtarë të OKB-së, të cilët i kanë cilësuar disa prej tyre si vrasje jashtëgjyqësore.

Vetëm gjatë muajit prill, ushtria amerikane ka njoftuar të paktën gjashtë sulme ajrore në kuadër të kësaj fushate.

Operacionet vijojnë të shkaktojnë debat ndërkombëtar për kufijtë ligjorë të ndërhyrjeve ushtarake dhe për pasojat e tyre në rajon.

Top Channel