‘Gjermania po shqyrton vendosjen e Marinës së saj në Hormuz’, ministri i mbrojtjes: Jemi ende në fazë planifikimi
Rumen Radev duket se është në rrugën e duhur për një fitore të qartë në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Bullgaria, me partinë e tij të sapoformuar “Bullgaria Progresive” që siguron rreth 44% deri në 46% të votave, sipas rezultateve të para.
Ky rezultat e afron ndjeshëm drejt një shumice të fortë parlamentare, megjithëse ndarja përfundimtare e mandateve do të varet nga sa parti të vogla arrijnë të kalojnë pragun prej 4% për përfaqësim në Kuvend.
Sipas vlerësimeve paraprake, formacioni i Radevit mund të sigurojë mbi 130 vende në parlamentin me 240 deputetë, duke iu afruar krijimit të një qeverie të pavarur. Fitorja e tij përmbys edhe parashikimet, të cilat nuk prisnin një avantazh kaq të thellë.
Në vendin e dytë renditet partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit Boyko Borisov, ndërsa në vendin e tretë koalicioni “Ndryshime të Vazhdueshme – Bullgaria Demokratike”, të dyja me rreth 12.5% të votave. Pas tyre vjen “Lëvizja për të Drejta dhe Liri”, e lidhur me biznesmenin kontrovers Delian Peevski.
Këto janë zgjedhjet e teta në vetëm pesë vite në Bullgari, një tregues i qartë i paqëndrueshmërisë politike dhe vështirësive të vazhdueshme për formimin e qeverive funksionale. Klima e lodhjes në shoqëri ka favorizuar daljen e forcave të reja politike.
Gjatë fushatës, Radev theksoi nevojën për stabilitet institucional, luftë kundër korrupsionit dhe kufizimin e ndikimit të interesave ekonomike në politikë. Rezultati përfundimtar shihet si vendimtar për të ardhmen politike të vendit.
Kush është Rumen Radev?
62-vjeçari vjen nga radhët e ushtrisë, ku ka shërbyer si komandant i Forcave Ajrore dhe pilot i avionëve luftarakë MiG-29. Ai u zgjodh president i Bullgarisë në vitin 2016 dhe u rizgjodh në vitin 2021, duke fituar një rol të rëndësishëm në politikën e vendit.
Në politikën e jashtme, ai mbështet integrimin evropian të Bullgarisë, por ka shprehur rezerva për disa politika të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë. Ai promovon një qasje më pragmatike ndaj marrëdhënieve me Moskën, që kritikët e cilësojnë si qëndrim pro-rus.
Në planin ekonomik, Radev është treguar i kujdesshëm ndaj adoptimit të euros, duke paralajmëruar për ndikime të mundshme në inflacion dhe fuqinë blerëse.
Formimi i shumicës së re parlamentare pritet të përcaktojë nëse ai do të mund të zbatojë plotësisht programin e tij politik, në një moment kyç për stabilitetin e Bullgarisë.
Top Channel